Vendosni fjalën kyçe....

U arrestua me 58 kg kanabis në Qafë Thanë, 28-vjeçarja pjesë e AKSHI-t, e kallëzuar edhe nga KQZ-ja për manipulim rezultati në vitin 2021


Policia e Korçës organizoi një operacion anti-drogë në Qafë Thanë duke arrestuar tre persona dhe shpallur në kërkim dy të tjerë.

Policia sekuestroi në makinën që drejtohet nga shtetasja Erisa Fero 58 kg kanabis. 

Erisa Fero rezulton shefe kompjuterike në Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI)

Aksioni është kryer nga prokuroria e Pogradecit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Korçë. Lënda narkotike raportohet se vinte nga zona Tirana, ku të implikuar kanë qënë persona nga Fushë-Kruja dhe Korça.

“Nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës, informoi sot policia e Korçës..

Në makinë së bashku me drejtoreshën e AKSHI-t, ishte dhe shtetasi Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushe-Kruja dhe një 17 vjeçar me inicialet M.K.

Ndërsa dy persona të tjerë, F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, janë shpallur në kërkim, pasi janë larguar me shpejtësi në momentin e ndërhyrjes së punonjësve të policisë.

Sipas hetimeve të policisë qëllimi ishte që droga të shkëmbehej në zonën e Qafë Thanës dhe më pas të kalohej në drejtim të Maqedonisë së Veriut. 

“Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim” –thuhej në njoftimin e policisë.

Shtetasja Erisa Fero rezulton që në 22 dhjetor të vitit 2021, të jetë kallëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së bashku me 21 komisionerë.

Fero ka qënë anëtare e PS si pjesë e një komisioni të numërimit të votave në një KZAZ.

Për shkak se në Komisionin ku bënte pjesë Fero, rezultati i votave ishte falsifikuar, KQZ ka depozituar kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës për 21 komisionerë mes të cilëve dhe Erisa Fero.

Ata janë akuzuar si të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, si dhe për heqjen apo shtimin e votave për kandidatët e partive të ndryshme.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet faza e trembëdhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar 1 vit më parë.

Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit maqedonas.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Sekuestrohen 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, finalizuan me sukses fazën e trembëdhjetë të tij.

Si rezultat i saj, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve:

– E. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë; M. K., 17 vjeç, banues në Krujë; L. B., 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.

Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.

Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volksëagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.

Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.