Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina zgjohet nga sirenat, qytetet kryesore goditen me mbi 100 raketa ruse


Një alarm për sulm ajror është lëshuar në të gjithë Ukrainën, pasi një valë e re e sulmeve ruse goditi disa qytete të mëdha.

Këshilltari presidencial Oleksiy Arestovych shkroi në mediat sociale se më shumë se 100 raketa ishin lëshuar drejt qyteteve të Ukrainës në “disa valë” sulmi.

Të paktën dy shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin Kiev, por ishte e paqartë nëse ato ishin shkaktuar nga sulmet me raketa apo nga mbrojtja ajrore.

Shpërthime u dëgjuan edhe në qytetet Kharkiv, Odesa dhe Zhytomyr, raporton BBC .

Udhëheqësi rajonal i Odesa, Maksym Marchenko foli për një sulm masiv raketor në Ukrainë.

Arestovych u bëri thirrje civilëve të kërkonin strehim dhe tha se mbrojtja ajrore e vendit po funksiononte.

Dhjetëra sulme ruse kanë goditur Ukrainën në javët e fundit, duke shkaktuar ndërprerje të përsëritura të energjisë në të gjithë vendin. Sulmet e fundit kanë shkaktuar tashmë ndërprerje të energjisë në Odesa dhe Dnipropetrovsk.

“Ato janë futur për shkak të kërcënimit të sulmeve me raketa, për të shmangur dëme të konsiderueshme nëse armiku arrin të godasë objektet energjetike”, shkruan furnizuesi i energjisë DTEK.

Oleksandr Vilkul, kreu i Administratës Ushtarake në qytetin qendror të Kryvyi Rih, tha se raketat ishin lëshuar nga “anijet dhe avionët rusë nga Deti i Zi”.

Ai shtoi se energjia në qytet ishte ndërprerë si një “masë paraprake”.

Më herët, komanda jugore e Ukrainës kishte lëshuar një paralajmërim se forcat ruse po përgatiteshin të lëshonin deri në 20 raketa nga pozicionet në Detin e Zi.

Moska ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar civilët në sulmet e saj raketore. Megjithatë, presidenti Vladimir Putin ka pranuar së fundmi se trupat ruse kanë goditur objektet kritike energjetike të Ukrainës.

Pranimi pasoi pretendimet nga disa liderë ndërkombëtarë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, se shënjestrimi i objekteve energjetike mund të përbënte një krim lufte.