Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari Adriatik Doçi ankimon vendimin e SPAK-ut për të mos hetuar dy prokurorët e paditur prej tij


Gazetari Adriatik Doçi ka ankimuar sot në SPAK vendimin e prokurorit Alfred Shehu për të mos hetuar dy prokurorë të paditur prej tij për çështjen e inceneratorëve.

Bëhet fjalë për padinë e depozituar nga Doçi në SPAK ndaj dy prokurorëve Ened Nakuçi dhe Klodian Braho, të cilët i akuzon se fshehën provat për ish-ministrin Arben Ahmetaj në lidhje me aferën e inceneratorëve, ku Klodian Zoto i ka paguar faturat e hoteleve luksoze.

“Sot ankimova në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oraganizuat vendimin e prokurorit të SPAK, Alfred Shehu, i cili pa kryer asnjë verifkim dhe në një kohë rekord prej 13 ditësh, vendosi mosfillimin e procedimit penal për dy kolegët e tij, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi, të kallëzuar nga unë për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës për çështjen e inceneratorëve.”- shkruan Doçi.

Gazetari thotë se prokurori Alfred Shehu pa kryer asnjë veprim verifikues, tha se fakti i fshehjes së provave nga dy prokurorët nuk ekziston, se çështja është nën hetim dhe se dy prokurorët kanë krijuar bindjen e brendshme për të mos marrë nën hetim Arben Ahmetajn.

Kështu ai ngre disa pyetje të cilat nuk kanë marrë përgjigje nga këto hetime.

“Pse pagesat e Zotos për Etleva Kondin janë përfshirë në doje, ndërsa pagesat për Arben Ahmetajn nuk janë përfshirë? Pse nuk pyeten dy prokurorët Klodin Braho dhe Eneid Nakuçi se çfarë kanë bërë me faktin e pagesave të Zotos për llogari të Ahmetajt?” – pyet ai.

Vendimi i SPAK-ut për të mos nisur hetimet për dy prokurorët Braho dhe Nakuçi, citon një mori nenesh e ligjesh. Por asnjë referim ligjor e rregullator nuk i justifikon dy prokurorët përballë vendimit të tyre për të mos përfshirë në dosjen e inceneratorit të Elbasanit faturat që ngrenë dyshime të arsyeshme se Arben Ahmetaj ka përfituar para nga Klodian Zoto në të paktën gjashtë raste. As nuk jepet përgjigje se pse këto prova nuk janë përfshirë në dosje nga ana e dy prokurorëve.

Çfarë shkruan Doçi:

Sot ankimova në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oraganizuat vendimin e prokurorit të SPAK, Alfred Shehu, i cili pa kryer asnjë verifkim dhe në një kohë rekord prej 13 ditësh, vendosi mosfillimin e procedimit penal për dy kolegët e tij, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi, të kallëzuar nga unë për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës për çështjen e inceneratorëve.

Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi, duke shpërdoruar detyrën, minuar barazinë para ligjit, mbrojtur korrupsionin në nivele të larta dhe cënuar besimin e publikut tek SPAK-u, kanë fshehur faktet penale që implikojnë ish ministrin Arben Ahmetaj në të ashtuquajturën afera e inceneratorëve, duke devijuar hetimet dhe ngarkuar me përgjegjësi penale zyrtarë të nivelit të dytë.

Faktet janë pagesat korruptive me vlerë mijëra euro të Klodian Zotos për mbulimin e shpenzimve të akomodimit të Arben Ahmetajt në hotelet me 5 yje të Evropës, pasi Ahmetaj kishte firmosur për koncensionin e inceneratorëve, ku përfituese ishte kompania me pronar Klodian Zoton.

Pagesat kompromentuese janë zbuluar nga rikuperimi i të dhënave nga hetuesit në 3 kompjuterat dhe telefonin e Zotos. Pagesa të së njëjtës natyrë janë bërë pjesë e dosjes hetimore për Etleva Kondin, ish drejtoreshë e koncensioneve në Ministrinë e Energjitikës dhe anëtarë e Komisiomit të Vlersimit të Ofertave për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. Kondi është marrë e pandehur nga SPAK.

Çuditërisht, të njëjtat pagesa, të zbuluara në të njëjtët kompjutera për Arben Ahmetaj, jo vetëm nuk janë pjesë e fashikujve hetimorë, por janë mbuluar dhe zhdukur me qëllim për të shpëtuar nga përgjegjësia penale ish ministrin, i cili po del se është pronari real i incenetatorëve.

Ligji penal dhe procedural penal është zbatuar për ish zyrtaren e nivelit të mesëm Etleva Kondin, por jo për zyrtarin e nivelit të lartë Arben Ahmetajn. I vetmi fakt flagrant korruptiv në historinë e çështjes së inceneratorëve ishin pagesat e Klodian Zotos. Pikërisht fakti më i rëndësishëm është fshehur.

Skandali u thelluar nga Prokurori i SPAK, Alfred Shehu, i cili në vend që të kryente një verifikim elementar të pretendimeve në kallëzim, ka bërë bërë një ese të paprecedentë, duke folur për çështje psikologjike, ndjesi, kompeteca të ditura dhe bindje të brendshme të dy prokurorëve.

Një proces hetimor nuk është një hartim, subjekt letrar apo përshtjellim ndjenjash. Nuk është as riptodhim nenesh.

Pa kryer asnjë veprim verifikues, prokurori Alfred Shehu thotë se fakti i fshehjes së provave nga dy prokurorët nuk ekziston, se çështja është nën hetim dhe se dy prokurorët kanë krijuar bindjen e brendshme për të mos marrë nën hetim Arben Ahmetajn.

  1. Prokurori Alfred Shehu flet në vendimin e tij për kompetencat e prokurorëve, hetimet dhe bindje të brendshme. Thelbi i kallëzimit nuk ka të bëjë me hetimet dhe as kompetencat, por me fshehjen e fakteve të reja nga dy prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi.
  2. Prokurori Alfred Shehu thotë se janë ndarë hetimet në shtator 2022 për verifikimin e përgjegjësisë penale të zyratëve dhe ish zyrtarëve të tjerë. Jo vetëm Arben Ahmetaj, por as Ministria e Ekonomisë nuk figuron në ndarjen e procedimit në shtator 2022.

Nuk ka përgjigje:

Çfarë provash janë gjetur nga kompjuterat e Klodian Zotos? Cilat prova janë përfshirë në fashikullin hetimor dhe cilat jo?

Pse pagesat e Zotos për Etleva Kondin janë përfshirë në doje, ndërsa pagesat për Arben Ahmetajn nuk janë përfshirë?

Pse nuk pyeten dy prokurorët Klodin Braho dhe Eneid Nakuçi se çfarë kanë bërë me faktin e pagesave të Zotos për llogari të Ahmetajt?

Çfarë veprimi ndërmorrën kur u njohën me këtë fakt dhe cili ishte vlerësimi i tyre?

Pse Ministria e Energjitikës dhe e Drejtësisë janë përfshirë në ndarjen e procedimit të shtatorit 2022, ndërsa ministritë e Financave dhe Ekonomisë, të drejtuara nga Ahmetaj nuk janë përfshirë, kur në proces kanë marrë pjesë të gjitha?

Pse nuk hetohet e bashkuar çështja e inceneratorëve, nga një grup prokuroësh, por ndahet në degë të ndryshme herë pas here, duke e kthyer hetimin në telenovelë.

A po i shërbejnë dy prokurorët Ahmetajt, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, duke shkatërruar hetimin për çështjen e inceneratorëve, për të shpëtuar kokat?

Çfarë duhet të ndodhë tjetër që dy prokurorët e çështjes të zëvëndësohen dhe hetimet të rinisin nga fillimi, pa fshehje provash dhe gjueti shtrigash?!