Vendosni fjalën kyçe....

Ikona e modës Vivienne Westwood ndërron jetë në moshën 81-vjeçare


Vivienne Westwood, stilistja provokuese britanike e modës që veshi skenën punk në vitet 1970 dhe protestoi kundër burgimit të botuesit të WikiLeaks, Julian Assange në vitet e fundit, vdiq të enjten.

Westwood, 81 vjeç, ndërroi jetë ‘paqësisht dhe e rrethuar nga familja e saj, në Clapham, Londra e Jugut’, tha kompania e saj në një deklaratë.

“Unë do e mbaj Vivienne në zemrën time.” – tha burri i saj dhe partneri i biznesit Andreas Kronthaler.

“Ne kemi punuar deri në fund dhe ajo më ka lënë shumë gjëra për të vazhduar.”

Westwood u martua me Kronthaler, një ish-student, në vitin 1992. Ajo la dy djem nga marrëdhëniet e mëparshme, Ben Westwood dhe Joseph Corre.

Viviene së pari la gjurmë në botën e modës me veshje ‘punk’, duke punuar me menaxherin e ‘Sex Pistols’, Malcolm McLaren në vitet 1970. Westwood ishte gjithashtu një mbështetëse e hapur e Assange. Në një intervistë në shtator 2019, pasi vizitoi botuesin e WikiLeaks në burgun Belmarsh, Westwood e quajti atë ‘një nga heronjtë më të mëdhenj në botë’.

Ikona e modës e kishte mbështetur Assange që nga viti 2012, kur ai kërkoi azil në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Pas arrestimit të tij në vitin 2019, Westwood organizoi disa protesta publike në kryeqytetin britanik, duke kërkuar lirimin e Assange dhe duke kundërshtuar ekstradimin e tij në SHBA. Në korrik 2020, ajo u mbyll në një kafaz gjigant zogjsh për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e vështirë të Assange.

Ndër krijimet e saj të dukshme ishin fustani i nusërisë së Dita von Teese në 2005, disa fustane për aktoren franceze Marion Cotillard, kapela e famshme e veshur nga muzikanti Pharrell Williams dhe një fustan nusërie i veshur nga personazhi i Final Fantasy XV, Lunafreya Nox Fleuret.