Vendosni fjalën kyçe....

Shtimi i rasteve me Covid-19 në Kinë/ Mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve: Do e vlerësojmë hap pas hapi


Ndërsa Kina po përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të infektimeve me koronavirus, frika është shtuar dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh sot për të diskutuar për marrjen e masave.

Disa vende si SHBA-ja, Japonia, Taivani dhe Italia kanë marrë masa për udhëtarët që vijnë nga Kina, të cilët duhet të paraqesin një test negativ.

Por Komiteti Teknik thotë se nuk sheh rrezik dhe ka vendosur të mos marrë masa të tilla për momentin, pasi vlerëson se situata në Kinë nuk pritet të ndikojë në shtetet europiane për shkak të nivelit të lartë të imunitetit që është krijuar në këto vende.

“Komiteti teknik i ekspertëve ka ndjekur me vëmendje në vazhdimësi situatën epidemiologjike SARS COV 2 dhe sëmundjes COVID-19. Edhe nga raportimet tona të përditshme, situata paraqitet e kontrolluar. Mesatarja e infektimeve ditore në javën e fundit, është 18 raste të reja ditore. Incidenca është 8 për 100 mijë. Numri i rasteve aktive është 195. Vetëm 2 pacientë janë të shtruar në spitalin infektiv.

Për vaksinimin janë aplikuar mbi 3 milionë doza. Një situatë e stabilizuar paraqitet edhe në rajon e Europë. Prej disa ditësh, ka pasur rritje të ndjeshme në Kinë. Nuk kemi akoma të dhëna të konfirmuara nga autoritetet kineze për shtamjen e virusit përgjegjës. Disa vende si SHBA, Japonia, Taivani dhe Italia kanë marrë si masë paraqitjen e një testi negativ për udhëtarët që vijnë nga Kina.

Qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, për momentin nuk e shohin me risk të lartë shpërthimin e një vale të re epidemie. Për faktin që virusi qarkullon edhe në Europë, ndërsa imunizimi është i mirë. Edhe komiteti ynë i ekspertëve, vlerëson se do monitorojë dinamikën e kësaj situate, do vlerësojë masat e marra nga vendet e tjera.  Do të vlerësojmë hap pas hapi nevojën për masa shtesë.” – tha ministrja Rakacolli.