Ish-papa Benedikti, i cili në vitin 2013 u bë Papa i parë në 600 vjet që dha dorëheqjen, vdiq të shtunën në moshën 95-vjeçare në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan, ku kishte jetuar që nga dorëheqja e tij tha një zëdhënës i Selisë së Shenjtë.
“Me dhimbje ju njoftoj se Papa Emeritus, Benedikti XVI, ndërroi jetë sot në orën 9:34 në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan. Informacione të mëtejshme do jepen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zëdhënësi në një deklaratë me shkrim.
Vatikani tha se trupi i tij do qëndrojë nga e hëna në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në fillim të kësaj jave, Papa Françesku zbuloi gjatë audiencës së tij të përgjithshme javore se paraardhësi i tij ishte ‘shumë i sëmurë’ dhe kërkoi që njerëzit të luten për të.
Për gati 25 vjet, si kardinal Joseph Ratzinger, Benedikti ishte kreu i fuqishëm i zyrës doktrinare të Vatikanit, i njohur atëherë si Kongregacioni për Doktrinën e Besimit (CDF).
Konservatorët në Kishë e kanë parë ish-papën si bartësin e tyre standard dhe disa ultra-tradicionalistë madje refuzuan ta pranojnë Françeskun si një pontifik legjitim.
Ata e kanë kritikuar Françeskun për qasjen e tij më të hapur ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ dhe ndaj katolikëve që janë divorcuar e martuar përsëri jashtë Kishës, duke thënë se të dy po minonin vlerat tradicionale.