Ish-ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara, Qin Gang, është emëruar ministër i Jashtëm, duke zëvendësuar diplomatin prej shumë kohësh në detyrë Wang Yi, i cili ka marrë një rol në Byronë Politike të Partisë Komuniste në pushtet.
Ministria e Jashtme njoftoi vendimin të premten, duke theksuar se 56-vjeçari Qin do zëvendësojë menjëherë Wang. Megjithëse ministri i Jashtëm i mëparshëm u zgjodh në Byronë Politike në tetor, u desh pak kohë për të konfirmuar pasardhësin e tij.
Në deklaratën e tij të parë si ministër i Jashtëm, Qin tha se qasja diplomatike e Pekinit do bazohet në ‘mençurinë, nismat e forcën kineze’.
Pasi ka shërbyer si i dërguar i Kinës në SHBA që nga viti i kaluar, Qin është ngritur dalëngadalë në radhët e Ministrisë së Jashtme, duke mbajtur gjithashtu postin e zëvendësministrit të Jashtëm midis viteve 2018 e 2021. Që nga emërimi si ambasador, Qin ka botuar një numër editorialesh në mediat amerikane që pasqyrojnë qëndrimin e Kinës për një sërë çështjesh, shpesh duke theksuar bashkëpunimin miqësor.
Në një editorial në fillim të kësaj jave që kërkonte të sqaronte ‘Si e sheh Kina botën’, ai argumentoi se ‘marrëdhëniet Kinë-SHBA nuk duhet të jenë një lojë me shumatoren zero’ ndërsa bëri thirrje për të ‘eksploruar një mënyrë për t’u marrë vesh, bazuar në respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin e favorshëm’.
Wang nga ana e tij ka pasur gjithashtu një karrierë të njohur, duke mbajtur rolin e ministrit të Jashtëm për dekadën e fundit pasi shërbeu në një sërë postesh diplomatike që nga vitet 1980, duke përfshirë çështjet që lidhen me Japoninë, Tajvanin, Izraelin dhe Palestinën, dhe çështjet aziatike më gjerësisht.
Si një nga lëvizjet e tij të fundit si ministër i Jashtëm, Wang bëri një telefonatë me homologun e tij amerikan, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, të cilin ai e paralajmëroi të ndalonte ‘rutinë ne vjetër të ngacmimit të njëanshëm’ të Uashingtonit dhe të pushonte përpjekjet për të shtypur zhvillimin e Kinës.
Telefonata kontestuese theksoi tensionet në rritje midis Pekinit dhe Uashingtonit teksa Qin merr detyrën e tij të re.