Kryeministri Rama ka vijuar sot me njoftimet për shpërblimin e kategorive të ndryshme të qytetarëve siç e ka bërë këto ditët e fundit.
Ai shkruan se në vend të konferencës për shtyp, ka zgjedhur të flasë përmes ‘Pakos së Madhe’ të ndihmës kundër inflacionit nga e cila përfitojnë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës e kategori të tjera.
“Sot nuk e pashë të udhës të bëj një konferencë shtypi si çdo fundvit, po lashë Pakon e Madhe kundër inflacionit të luftës të flasë për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, të cilët si kurrë më parë, do të marrin një mbështetje financiare ekstra, sepse si kurrë më parë, u duhet të përballen me një dimër me dorën e zgjatur të inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë.
Ne nuk mund t’i linim ata vetëm në këtë dimër të vështirë për të gjithë Europën, po mbi të gjitha për më të dobëtit. Prandaj duke u nisur në radhë të parë, pikërisht nga nevoja për ta larguar atë dorë shqetësuese nga konsumi i tyre bazë, ideuam Pakon e Madhe. Ndërkohë, kjo mbështetje nuk e zëvendëson, as e ndryshon zotimin se pensionistët do të jenë vitin që po vjen, përfituesit e parë nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, të cilën e miratuam në Kuvend me paketën fiskale 2023. Kështu që kjo pako, ku ka 8000Lekë të reja për çdo pensionist, e cila do të shpërndahet javët e para të janarit, nuk është mbështetja e fundit ekstra për pensionistët për vitin që po troket në derë.
Pakoja ka 20 mijë lekët të reja në dorë për 6700 nënat kryefamiljare me ndihmë ekonomike, ashtu sikundër për herë të parë, qeveria shpërndan 20 mijë lekë të reja për sanitaret, shoferët, punonjësit e shërbimeve mbështetëse të shtetit dhe tërë punonjësit e tjerë të shtetit me një pagë bruto nën 60 mijë lekë, plot 27 mijë e 249 vetë, ku përfshihen edhe 1181 zjarrfikës, 3267 infermierë, 6045 mësuese dhe edukatore, 2200 ushtarë bazë dhe mijëra nëpunës të shkallëve të ulëta të administratës!
Ndjehem i lumtur kur mendoj se me këtë mbështetje ekstra, familjet e tyre s’do ta ndjejnë aspak dimrin me dorën e zgjatur të inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre të përditshëm. Por Pakoja e Madhe përfshin edhe ata me pagë bruto mbi 600 mijë lekë – duke përjashtuar natyrisht nivelet politike të administratës. 11 mijë infermierë, 5411 mjekë, 30 mijë e 693 mësues dhe edukatorë, 15 mijë e 384 punonjës sigurie, punonjës të policisë së burgjeve si dhe 14 mijë e 318 nëpunës do të marrin nga 10 mijë lekë të reja, të cilat i shtohen rritjes së pagave të tyre këtë vit, duke e bërë praktikisht zero efektin e inflacionit të luftës për familjet e tyre. Ndërkohë, edhe pse kanë paga më të larta se sa 60 mijë lekë bruto, efektivët e Forcave të Këmbësorisë që morën me mund e me meritë edhe certikatën si forcë ekselence e NATO-s, ata të Forcave Speciale Delta, Renea, Ndërhyrja e Shpejtë, Njësia Operacionale apo Zjarrëfikësit do të marrin nga Pakoja e Madhe 20 mijë lekë të reja.
Kjo pako e madhe nuk zgjidh të gjitha hallet, as nuk i jep fund luftës dhe impaktit të saj të pashmangshëm mbi ekonominë tonë, por së bashku me subvencionin masiv të çmimit të palëvizur të energjisë, zmbraps një dimër që përndryshe do të ishte jo i lehtë, si edhe mishëron kujdesin dhe vëmendjen e pandarë të qeverisë ndaj njerëzve të këtij vendi. Ata kurrë s’i kemi lënë dhe s’do t’i lëmë vetëm, po do të bëjmë gjithçka mundet për t’i mbështetur e lehtësuar në ditët e vështira, siç nuk do të lemë gjë pa bërë për t’u sjellë ditë gjithnjë e më të mira. E mira s’ka fund, por kjo do të jetë gjithnjë e më shumë qeveria e shumicës, jo e disave dhe nëse sot ne jemi në gjendje të hapim një pako të madhe për thuajse 1 milionë shqiptarë, kjo ndodh pikërisht sepse ne jemi këtu për ata, shumicën e shqiptarëve, jo për disa. Gëzuar.” – shkruan Rama.