Britania ka vënë në dispozicion 75 milionë stërlina (90.5 milionë dollarë) për të mbështetur prodhimin vendas të karburantit bërthamor për termocentralet, njoftoi qeveria të hënën.
Masa synon të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar të zhvillojë rrugë të tjera ndaj furnizimeve ruse të karburantit, sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen e internetit të qeverisë britanike.
Bizneset e përfshira në shndërrimin e uraniumit, një fazë kyçe në prodhimin e karburantit bërthamor, mund të aplikojnë për grante nga fondi për të zhvilluar aftësi të reja shndërrimi në vend.
“Kjo paketë investimi do forcojë sigurinë energjetike të Mbretërisë së Bashkuar, duke siguruar qasje në një furnizim të sigurt të karburantit të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar për të fuqizuar flotën bërthamore të Mbretërisë së Bashkuar sot dhe nesër, teksa ndikimi rus zhduket.” – thuhet në njoftimin për shtyp.
Rreth 20% e kapacitetit global të shndërrimit të uraniumit dhe 40% e kapacitetit të pasurimit janë në pronësi të Rusisë, shtoi ai. Në vitin 2020, 16% e energjisë elektrike të Mbretërisë së Bashkuar vinte nga gjashtë termocentralet e saj bërthamore.
Fondi u njoftua pasi udhëheqësit e G7-ës ranë dakord në qershor për të zvogëluar varësinë ndaj mallrave bërthamore civile të lidhura me Rusinë.