Vendosni fjalën kyçe....

Kushi reagon për zjarrin në shkollën e Mallakastrës: Edhe Bashkia të hetojë shkaqet, ambienti do jetë gati për mësim më 5 janar


Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar në lidhje me djegien e pjesshme të shkollës 9-vjeçare në Mallakastër.

Kushi ka kërkuar që jo vetëm policia por edhe Bashkia të bëjnë një hetim të plotë për shkaqet e rënies së zjarrit pasi paraprakisht mendohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike.

Më tej ajo thotë se shkolla do të jetë gati për të pritur nxënësit ditën e enjte më 5 janar kur dhe rinis procesi mësimor.

Po ndjekim nga afër me vëmendje zhvillimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “5 Shkurti” në Mallakastër, ku si pasojë e zjarrit në njërën prej klasave janë shkaktuar dëme fizike dhe materiale.

Sipas informacioneve zyrtare paraprake, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, por megjithatë kërkoj nga organet kompetente, jo vetëm Policia e Mallakastrës por edhe Bashkia, si institucioni përgjegjës për sigurinë e shkollës, që të bëjnë sa më parë një hetim të plotë të shkaqeve që çuan në këtë incident.

Falënderoj veçanërisht punonjësit e zjarrfikëses dhe personelin e shkollës, të cilët kanë ndërhyrë në kohë rekord, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në klasat e tjera.

Dëshiroj të informoj opinionin publik se po marrim të gjitha masat, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Zyrën Arsimore Mallakastër që shkolla të jetë gati për të pritur nxënësit ditën e enjte, më datë 5 janar, kur rinis procesi mësimor në të gjitha shkollat e vendit”-shkruan Kushi.