Vendosni fjalën kyçe....

Largohen barrikadat e mbetura në veri të Kosovës


KFOR, EULEX, dhe Policia e Kosovës i kanë larguar më 3 janar barrikadat e krijuara me kamionë, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës, në Mitrovicën e Veriut.

Ura, e cila ishte e bllokuar atje prej ditësh nga serbët lokalë, tashmë është liruar për qarkullim, raporton reporterja e Radios Evropa e Lirë nga vendi i ngjarjes.

KFOR, njoftoi të martën për zhvillimin e “operacioneve inxhinierike” në veri të Kosovës, për të hequr automjetet që ende po i bllokonin rrugët, ka kryer bartjen e kamionëve të larguar nga rruga.

Kamionët në Mitrovicë të Veriut ishin djegur më 29 dhjetor.

Në njoftimin e KFOR-it në Twitter u tha se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhej për të rikthyer lirinë e lëvizjes në atë zonë.