Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e 31-vjeçarit nga Kukësi e plagosja e shokut të tij në Prizren, pranga pronarit të lokalit


Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e një lokali në Prizren i cili akuzohet për vrasjen e një 31-vjeçari nga Kukësi e plagosjen e një tjetri.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lokalin e natës ‘Kobra City’ në Prizren.

Viktima është identifikuar si 31-vjeçari Visart Çengu nga Kukësi, i lënduar ka mbetur 27-vjeçari Rufgen Shehu ndërsa një tjetër i ri, Arben Basha, nuk është prekur nga plumbat.

Krimi ka ndodhur pas një përplasjeje fizike mes tre të rinjve dhe pronarit të lokalit i identifikuar si Dibrah Hoxhaj, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prizren.

Pas përplasjes fizike, dyshohet se Hoxhaj i ka qëlluar me armë zjarri tre të rinjtë që po largoheshin me makinë.

Çengu ka ndërruar jetë rrugës, ndërsa Shehu pas ndihmës së parë në Spitalin e Kukësit është dërguar për trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, u tha mediave se bashkë me Hoxhën në stacionin policor janë shoqëruar edhe pesë persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.