Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Edmond Papës, arrestohet 30-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëautori


Një person është arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim lidhur me ekzekutimin e Edmond Papës, ngjarje e ndodhur më 16 dhjetor 2022, në rrugën ‘Fadil Bodinaku’, Tiranë.

Në pranga ka rënë 30-vjeçari Albano Velo lindur në Përmet e banues në Tiranë, i dyshuar si ekzekutori i 49-vjeçarit ndërsa në kërkim është shpallur bashkëautori, 44-vjecari A.B., banues në Tiranë.

Policia ka sekuestruar mjetin ‘Audi’, i cili dyshohet se është përdorur nga të lartpërmendurit. Ata dyshohet se e kanë ndjekur Papën për disa ditë para se të kryenin krimin.

Njoftimi

“Zbardhet ngjarja e ndodhur më 16 dhjetor 2022, ku mbeti i varë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa

Finalizohet operacioni policor i koduar “EAGLE EYES”. Identifikohet dhe ndalohet njëri prej autorëve të vrasjes. Shpallet në kërkim bashkëautori i vrasjes. Sekuestrohet automjeti i përdorur gjatë kryerjes së vrasjes, pamje filmike e prova të tjera të vlefshme, që çuan në identifikimin e autorëve.

Nga strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Renda ndaj Jetës e Pronës në DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 01.01.2023, në orët e para të mëngjesit, u finalizua operacioni policor i koduar “EAGLE EYES”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së datës 16.12.2022, ku në rrugën “Fadil Bodinaku“ Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa, i datëlindjes 1973, lindur në fshatin Kurjan Fier dhe banues në Sarandë.

Policia e Tiranës pas një pune profesionale e të pandërprerë trejavore, duke shfrytëzuar të dhënat e inteligjencës policore, përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit në kohë të provave ligjore, ka bërë të mundur dokumetimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarje kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “EAGLE EYES” u bë ndalimi i shtetasit:

A.V. 30 vjeç, lindur në Këlcyrë Permet dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” .

Si dhe shpallja në kërkim e bashkëautorit, shtetasi A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimi rezultoi se autorët e kanë ndjekur për disa ditë shtetasin Edmond Papa, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit.

Në cilesinë e provave materiale është gjetur dhe sekuestruar automjeti tip “Audi” i përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas ngjarjes, pamje filmike dhe 3 aparate celular.

Nga strukturat hetimore për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale, i kanë kaluar Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”