Vendosni fjalën kyçe....

Butrinti në Gjykatën Kushtetuese


Nga Agron Alibali

Përbën pa dyshim ngjarje madhore në të drejtën kushtetuese vendase njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për pranueshmërinë dhe kalimin në seancë plenare publike të Kërkesës së deputetes së Sarandës Ina Zhupa dhe 35 deputetëve të tjerë të opozitës për shfuqizimin e Ligjit problematik 50/2022. Siç dihet, ky ligj, përmes modelit “risor” të “administrimit indirekt” të pahasur ndokund tjetër në botë, ia kalon Vendin e Trashëgimisë Botërore të Butrintit në kontroll dhe administrim thuajse tërësor të ashtuquajturit Fondacion për Menaxhimin e Butrintit.[1] Shkurt, çelësat e Butrintit i kalojnë të ashtuquajturit Fondacion, ndërsa shtetit shqiptar i mbeten në dorë vetëm çelësat e kashtës.

Temën e kemi trajtuar edhe më herët në faqet e kësaj reviste, ku më 1 qershor 2020 kemi ngritur mospërputhjet e hapura me Kushtetutën dhe Konventën e Parisit të vitit 1972, dhe më 16 maj 2022 kemi komentuar juridikisht nismën e guximshme ligjvënëse të deputetes Ina Zhupa për mbylljen e shtegut juridik dhe abrogimin  / ndryshimin e Neneve 171-173 të Ligjit 27/2018 Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.

Siç dihet, Kërkesa për shqyrtim kushtetues e 36 deputetëve u regjistrua më 15.11.2022. Më datë 22.12.2022 u mbajt Mbledhja e Gjyqtarëve, që vendosi kalimin e çështjes në seancë plenare publike.  Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë, pra, kushtetueshmërinë e akteve të ekzekutivit dhe të legjislativit që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare publike të ratifikuar dhe të zbatuar në Republikën e Shqipërisë, si dhe me disa dispozita kushtetuese. Sipas njoftimit përkatës, Gjykata i ka kërkuar palës kërkuese që, brenda datës 23 janar 2023, të paraqesë “parashtrime me shkrim, nëse kanë argumente shtesë për kërkesën e paraqitur”.

Domosdoshmëria e pezullimit të aktit objekt shqyrtimi

Mirëpo në Kërkesën e 36 deputetëve është kërkuar edhe pezullimi i zbatimit të Ligjit 50/2022. Si do të vepronte Gjykata në këtë rast?

Me rregullore, Gjykata Kushtetuese e shqyrton kërkesën për pezullim brenda 10 ditëve nga data e vendimit të Kolegjit që ka kaluar çështjen për shqyrtim në seancë plenare. Me fjalë të tjera, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet deri më 6 janar 2023 për Kërkesën e grupit të deputetëve.

Sipas ligjit dhe rregullores përkatëse të Gjykatës Kushtetuese[2], në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme.

Gjykata ka diskrecion të gjerë për nisjen dhe shqyrtimin e Kërkesës për pezullim, kryesisht (sua sponte) e në çdo faze të gjykimit.[3] Edhe pala kërkuese mund ta paraqesë kërkesë pezullimi në kohë të mëvonë. Kërkesa për pezullim mund të riparaqitet në seancë plenare në rast se Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur rrëzimin e saj përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Vendimi për marrjen e masës së pezullimit në çdo rast arsyetohet dhe u njoftohet brenda ditës palëve në proces, organit që ka nxjerrë ligjin ose aktin, publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, si dhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

Marrëveshja midis Ministrisë së Kulturës dhe të ashtuquajturit Fondacion parashikon një periudhë transitore si dhe dorëzimin dhe transferimin tek i ashtuquajturi Fondacion të pasurisë kulturore të paluajtshme, që sot është nën pronësinë dhe administrimin ekskluziv të shtetit shqiptar. Veprimet e parashikuara në Marrëveshjen, e cila sot ka marrë forcën e ligjit, e bëjnë të  domosdoshme pezullimin e aktit objekt shqyrtimi, konkretisht të Ligjit nr. 50/2022 në mënyrë që të shmangen të gjitha pasojat që mund të prekin interesat shtetërore e shoqërore në administrimin / menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, gjegjësisht zonës A/3 nga ana e të ashtuquajturit Fondacion.

Shtet brenda shtetit?

Dihet se Ligji 8577/2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë përcakton si shkak pezullimi të aktit objekt shqyrtimi nëse priten “pasoja [të mundshme] që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individit”. Lind pyetja, a jemi në kushtet kur zbatimi i mëtejshëm i ligjit 50/2022 mund të prekë interesat shtetërore e shoqërore?

Në Shtojcën 1 të Marrëveshjes [ff 45-58], të inkorporuar në Ligjin 50/2022, jepet harta e sipërfaqes së zonës A/3 që do të transferohet për administrim tek i ashtuquajturi Fondacion si dhe koordinatat përkatëse të saj. Zona, me një hapësirë prej 1500 hektarësh (sipas një zyrtari të AADF-së), përbën një thelë jo të vogël gjeografike të territorit sovran të Republikës së Shqipërisë.

Në rast se këtë copë territori e merr nën administrim i ashtuquajturi Fondacion gjërat në Butrint nuk do të jenë siç kanë qenë deri më sot. Kësisoj, i ashtuquajturi Fondacion do të ketë:

të drejtën për posedimin, përdorimin, shfrytëzimin dhe gëzimin (por jo pronësinë, e cila në letër i mbetet shtetit shqiptar), dhe të drejtën e Administrimit të Pasurisë Kulturore, …,pa asnjë barrë, detyrim apo kufizim,” dhe me ndonjë përjashtim të vogël;

të drejtën për kalim mbi dhe nën, si edhe hyrjen dhe daljen nga dhe në çdo vend të Pasurisë Kulturore të Paluajtshme, pa ndërhyrje të panevojshme nga ndonjë palë e tretë për qëllimin e zbatimit të Marrëveshjes (“E Drejta e Kalimit”).[4]

Sipas Marrëveshjes, shteti shqiptar ruan vetëm tagre sipërfaqësore monitorimi dhe kontrolli. Kështu, brenda 10 ditëve nga data e marrjes nën administrim të Butrintit nga i ashtuquajturi Fondacion, Ministria ngre një “njësi monitorimi”, por është e detyruar t’i japë të ashtuquajturit Fondacion listën e emrave përbërës.  Një herë në vit, në qershor, i ashtuquajturi Fondacion për Menaxhimin e Butrintit ka detyrimin për t’i paraqitur një raport vjetor njësisë së monitorimit.

Një nga dispozitat më flagrante dhe më përulëse në Marrëveshje është ajo sipas së cilës shteti shqiptar heq dorë nga e drejta për të ushtruar kontrolle të përgjithshme, të pavarura dhe të befasishme në Butrint. Me të vërtetë, Ministria ka të drejtë “të ushtrojë kontroll në Butrint” – në bazë të një udhëzimi të ardhshëm të titullarit/titullares – vetëm me këto objekte dhe kushte:

“për vlerësimin e gjendjes së konservimit të raportuar nga Fondacioni”;

“për të verifikuar përmbushjen e detyrimeve të Fondacionit në kuadrin e kësaj Marrëveshjeje”;

“në prani të një përfaqësuesi të autorizuar të Fondacionit”;

“bazuar në një njoftim me shkrim drejtuar Fondacionit të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara”;[5]

Pra, shteti shqiptar, Palë sovrane në Konventën e Parisit të v. 1972, duhet të njoftojë paraprakisht të ashtuquajturin Fondacion nëse do të kryejë kontroll në Butrint dhe kontrolli shtetëror s’mund të kryhet pa qenë i pranishëm një përfaqësues i të ashtuquajturit Fondacion privat.

Neni 28 i Marrëveshjes parashikon edhe rastet kur shteti shqiptar detyrohet të “ndërhyjë” në Butrint duke marrë në dorë administrimin e tij. Kjo kryhet vetëm në raste të (i) braktisjes së Butrintit; (ii) për “ruajtjen e sigurisë kombëtare” ose (iii) në rastet e forcës madhore. Mirëpo, si në rastin e monitorimit dhe kontrollit, edhe ndërhyrja duhet të bëhet përmes një njoftimi me shkrim. Pra një shtet sovran detyrohet t’i bëjë të ditur me shkrim një të ashtuquajturi Fondacion privat për (i) arsyen e ndërhyrjes shtetërore; (ii) përshkrimin e veprimit urgjent ndërhyrës: (iii) datën e ndërhyrjes; (iv) periudhën kohore gjatë së cilës zgjat ndërhyrja; apo (v) detyrimet e të ashtuquajturit Fondacion gjatë ndërhyrjes shtetërore.[6]

Nga sa më sipër natyrshëm lind pyetja: me të marrë në dorë Butrintin, a mund të thuhet se i ashtuquajturi Fondacion kthehet në një farë shteti brenda shtetit (status in statu)?

Më tej, në Shtojcën 2 të Marrëveshjes [ff. 59-65] jepet lista e pasurive kulturore të paluajtshme që kalojnë nën administrimin e të ashtuquajturit Fondacion. Këtu bëhet fjalë për të paktën 100 zëra/objekte të pasurisë së paluajtshme kulturore të shtetit shqiptar, me vlera të jashtëzakonshme, të pazëvendësueshme dhe të pallogaritshme për historinë e kombit tonë, pa përmendur vlerat e tyre kulturore universale.

Kuptohet që dorëzimi dhe transferimi i gjithë kësaj hapësire territoriale si dhe të paktën 100 objekteve të paluajtshme të pasurisë kulturore kombëtare nga duart e shtetit shqiptar për tek administrimi i të ashtuquajturit Fondacion, ndërkohë që Ligji 50/2022 është objekt shqyrtimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, do të krijonte pasoja të rënda a të pariparueshme për të gjithë.

Prandaj, edhe në zbatim të Nenit 45 të Ligjit 8577/2000 si dhe të nenit 27 të Rregullores “Për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese” do të ishte krejt logjike dhe e arsyeshme marrja parasysh dhe pranimi i kërkesës së 36 deputetëve të opozitës për pezullimin e ligjit objekt shqyrtimi deri në shpalljen e vendimit përkatës nga ana e Gjykatës.

Nga shqyrtimi kushtetues fitojnë të gjithë, përveç…

Pavarësisht nga vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, fituese e vërtetë e çështjes është demokracia shqiptare. Jemi para një rasti të një ushtrimi të mirëfilltë demokratik. Konkretisht, dihet se shqetësimet dhe vullneti i popullit dhe i zgjedhësve të Sarandës nuk janë marrë parasysh nga administrata pavarësisht se deputetja e Sarandës Ina Zhupa i ka përcjellë ato në mënyrë të qartë, të përsëritur dhe me vendosmëri në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetja e Sarandës i kërkoi edhe Presidentit të Republikës që të mos ta dekretonte ligjin. Edhe pse kjo ndodhi, Kuvendi e rrëzoi aktin e Kreut të Shtetit dhe e miratoi ligjin. Prandaj, edhe në emër të zgjedhësve të vet e në kuadrin e parimit të përfaqësimit të vullnetit të tyre në Kuvend, deputetja e Sarandës ndërmori (i) hapin ligjvënës për abrogimin e neneve problematike 171-173 të Ligjit 27/2018 dhe (ii) kontrollin dhe shqyrtimin e kushtetueshmërisë të Ligjit 50/2022.  E thënë ndryshe, vullneti i kartonit detyrohet t’ia lerë vendin shqyrtimit kushtetues, si dhe debatit të hapur e demokratik në mbarë opinionin publik në vend.

 Paradoksalisht, shqyrtimi i Kërkesës nga Gjykata Kushtetuese i jep mundësinë e rrallë administratës që “të nusërojë edhe njëherë”. E thënë ndryshe, administrata ka një shans tjetër të tërhiqet dhe të anulojë Marrëveshjen. Kjo gjë do t’i kthente dinjitetin shtetit, do të rriste besimin publik në qeverisje dhe do ta rivendoste Butrintin brenda kuadrit të praktikave më të mira të UNESCO-s dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Pra, fituesi i parë dhe kryesor këtu është vetë administrata.

Fitues, natyrisht, del edhe vetë Kushtetuta, parimet e së shtetit të së drejtës, ligjshmëria dhe interesi publik. Edhe pse kontrolli paralel dhe vertikal nuk funksionuan, dhe iu hap rruga një praktike eksperimentale e të jashtëligjshme (p.sh. Ministria e Jashtme nuk rezulton të jetë konsultuar për pajtueshmërinë e Ligjit 50/2022 me Konventën e Parisit të vitit 1972, kontrolli në rrafshin e noterisë dhe të gjyqësorit duket se ka dështuar, dhe po ashtu edhe kontrolli legjislativ), rasti fatlum është për një kthesë 180 gradëshe të administratës dhe kthimi i veprimtarisë së saj në pajtueshmëri me Kushtetutën e të drejtën ndërkombëtare.

Mirëpo të fituar dalin edhe burokratët e USAID-it në Tiranë, që duket se e kanë mbështetur symbyllur projektin e AADF-së.  Mbetet ende e paqartë se si ata të kenë mbështetur një projekt që shkon ndesh me SEED Act të v. 1995, që shprehimisht përcakton se Fondi Shqiptar Amerikan i Ndërmarrjeve (AAEF) ka për objektiv “zhvillimin e sektorit privat”.[7] Atëherë si mund të justifikohet angazhimi i AADF-së – pasardhëses së AAEF-së, në një pasuri të sektorit publik madje të rëndësisë së veçantë si Butrinti, kur Kongresi i SHBA-së ka autorizuar shprehimisht vetëm “zhvillimin e sektorit privat”?

Edhe vetë AADF-ja del e fituar pasi ky ndofta është shansi i fundit i Bordit të AADF-së, përfshirë anëtaret e tij në Shqipëri, të tërhiqet përfundimisht nga projekti kontrovers dhe ilegjitim i Butrintit, dhe të përqendrohet ngushtësisht në atë çka e ka autorizuar Kongresi i SHBA-së.

Humbësi i vetëm, pa keqardhje e themi, mbetet profesori “helenocentrist” britanik Riçard Hoxhes (termin “helenocentrist” e huazojmë nga Prof. N. Ceka). Gjykuar nga libri i vetëtrumbetuar i Hoxhesit, rezulton se ishte e tija kjo ide absurde dhe të pashembullt, prandaj le ta mbajë vetë ai mbi kurriz përgjegjësinë për dështimin e saj.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Peizazhe.com

_________

[1] Do të përmendim cilësimin “të ashtuquajtur” pasi, nga një shqyrtim i dokumentacionit përkatës, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit na rezulton se është regjistruar contra legem si person juridik sipas legjislacionit shqiptar. Por për këtë do të ndalemi tjetër herë.

[2] Gjykata Kushtetuese këtu vepron në përputhje edhe me Ligjin 8577/2000 (nenin 45) si dhe rregulloren e saj, “Për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, më konkretisht nenin 27.

[3] Neni 45 i Ligjit 8577/2000 Po aty, Neni 27.1. https://www.gjk.gov.al/web/rregullore_per_procedurat_gjyqesore_te_gjykates_kushtetuese_2205.pdf

[4] Neni 7.1.(a),(b) i Marrëveshjes.

[5] Neni 4, Vlerësimi dhe Monitorimi.

[6] Neni 28.4 dhe 28.5. i Marrëveshjes.

[7] https://www.congress.gov/101/statute/STATUTE-103/STATUTE-103-Pg1298.pdf    Section 201 (a) (purposes).  Shih edhe 22 U.S. Code § 5421.