Gjermania është e hapur për të përdorur aktivet e Bankës Qendrore të Rusisë, të ngrira që nga viti i kaluar si rezultat i sanksioneve, për të financuar rindërtimin e Ukrainës, raportoi Bloomberg të martën.
Qeveria gjermane thuhet se është në favor të përdorimit të fondeve për të ndihmuar Ukrainën, megjithatë asnjë qëndrim zyrtar për këtë çështje nuk është marrë ende, pasi anëtarët e kabinetit janë të ndarë për këtë çështje, vuri në dukje Bloomberg, duke cituar njerëz të njohur me diskutimet.
BE dhe G7 ngrinë rreth 300 miliardë euro në rezerva që i përkisnin Bankës Qendrore Ruse, së bashku me miliarda në asete në pronësi të biznesmenëve rusë të sanksionuar.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock këmbëngul se të paktën disa nga asetet e ngrira duhet të konfiskohen, ndërsa ministri i Financave Christian Lindner është i shqetësuar se masa mund të krijojë një precedent të rrezikshëm dhe t’i çojë vendet evropiane dhe aleatët e tyre në një ‘moçal ligjor’, thanë burimet për Bloomberg.
Berlini do mbështeste konfiskimin me kusht që çështjet ligjore të zgjidheshin dhe aleatët e tij të ndiqnin shembullin, shton gazeta.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha më herët se BE-ja do ‘gjente mënyra ligjore’ për të konfiskuar asetet ruse për t’i përdorur në Ukrainë.
SHBA ka qenë deri më tani më e kujdesshme nga shqetësimi se një konfiskim do dëmtonte reputacionin e saj si një strehë e sigurt për asetet e huaja.