Tetë anëtarë të një familjeje, pesë prej të cilëve fëmijë, u gjetën të vdekur nga plagët me armë zjarri në një shtëpi në jug të Utah të mërkurën, sipas autoriteteve që nuk dhanë më shumë hollësi ose një motiv të mundshëm për vrasjet.
Viktimat u gjetën kur policia bëri një kontroll rutinë në rezidencë, sipas një deklarate nga zyrtarët e Enoch, një qytet i vogël me rreth 8,000 banorë që ndodhet 245 milje (394 kilometra) në jug të Salt Lake City, shkruan AP.
Zyrtari i qytetit të Enoch, Rob Dotson, tha se komuniteti u trondit nga lajmi për tetë trupat dhe se të ndjerit, të gjithë anëtarë të një familjeje, njiheshin mirë në qytetin jugor.
“Shumë prej nesh kanë shërbyer me ta në kishë, në komunitet dhe kanë shkuar në shkollë me këta individë.” – tha Dotson në një deklaratë video të mërkurën mbrëma.
“Komuniteti është i lënduar. Ata po ndiejnë humbjen e madhe, po ndiejnë dhimbje dhe kanë shumë pyetje.” – shtoi Dotson, duke vënë në dukje se zyrtarët planifikonin të lëshonin më shumë hollësi mbi ngjarjen pasi ato të bëhen të disponueshme dhe hetimi i policisë të ecë përpara.
Kontrollet rutinë bazuar në thirrjet në departamentin e policisë si ai që i çoi ata në banesën ku u gjetën trupat janë të zakonshme kur individët nuk shihen për periudha të gjata kohore, tha Dotson.
Pesë fëmijët ishin nxënës në shkollat në distriktin Iron County, thanë zyrtarët.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP