Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë videon nga mbyllja e qeverisë e cila sot ka zgjatur për 12 orë.
Rama thotë se mbi bazat e vitit 2022 dhe thotë metaforikisht se në vitin 2023 do e bëjë tërmet.
“Mirë atëherë, sipas llogaris që bëj unë, dje kemi filluar në orën 4 dhe kemi mbaruar në 8.20. Bëjnë 4 orë e 20. Sot kemi filluar në orën 9.07 dhe sa është ora tani, 21.12, që i bie 12 orë e 5 minuta. Plus 4 orë e 20 minuta, në total bëjnë 16 orë e 25 minuta.
Ju falenderoj sepse qëndruat, jo vetëm heroikisht, por edhe në mënyrë shumë aktive konstruktive. Gëzuar dhe njëherë vitin e ri 2023, qoftë shumë më i mbarë se 2022. Mbi bazën e 2022 kemi arsye të besojmë se 2023 do e bëjmë tërmet. Faleminderit shumë”, thotë kryeministri Rama.
Ndërsa në tekstin shoqërues të videos shkruhet është kaluar në skaner çdo sektor i vitit 2022 dhe kabineti ka debatuar dhe miratuar objektivat për vitin e ri. Kryeministri thotë se në 2023, qeveria do të jetë më pranë njerëzve.
“Maratona e diskutimit të fillimvitit në qeveri sapo mbaroi pas 16 orë e 25 minutash, ku kaluam në skaner çdo sektor për vitin që sapo iku dhe debatuam e miratuam objektivat konkretë të këtij Viti të Ri, i cili do të jetë një vit më pranë njerëzve, duke u nisur gjithnjë nga ata më në nevojë”, shkruhet mbi video.