Vendosni fjalën kyçe....

Vajza e ish-drejtorit të inteligjencës amerikane shpallet fajtore për vrasjen e 24-vjeçarit – Media


Vajza e ish-drejtorit të inteligjencës amerikane, John Negroponte, është shpallur fajtore për therjen me thikë të një 24-vjeçari, pas një debati në gjendje të dehur brenda një shtëpie në Maryland.

Një juri e qarkut Montgomery dënoi të martën Sophia Negroponte, 29 vjeç, për vrasje të shkallës së dytë në vdekjen e Yousuf Rasmussen në shkurt 2020, raportuan mediat. Ajo përballet me 40 vjet burg.

Sophia Negroponte ishte një nga pesë fëmijët e braktisur ose jetimë nga Hondurasi që John Negroponte dhe gruaja e tij adoptuan pasi Negroponte u emërua si ambasador i SHBA-së në vendin e Amerikës Qendrore në vitet 1980, sipas The Washington Post.

Sophia Negroponte dhe Rasmussen ndoqën të njëjtën shkollë të mesme në Uashington dhe kishin pirë, së bashku me një person tjetër, natën që Rasmussen u vra, tha prokurori i shtetit të Montgomery, John McCarthy.

Ata u grindën dy herë atë natë dhe Rasmussen u largua. Kur Rasmussen u kthye për të marrë celularin e tij, Negroponte ‘e goditi me thikë disa herë, njëra ishte një goditje vdekjeprurëse që i preu qafën’, tha McCarthy.

Avokati mbrojtës David Moyse u kishte kërkuar juristëve të konsideronin se Sophia Negroponte ishte aq e dehur atë natë sa nuk mund të kishte qëllim specific për vrasjen e viktimës, shkruan AP.

Juristët nuk e gjetën Negroponte fajtore për akuzën më të rëndë me të cilën u përball, vrasjen e shkallës së parë, me paramendim, sipas Post. Por ata e dënuan atë për vrasje të shkallës së dytë, duke zbuluar se ajo kishte për qëllim ‘t’i shkaktonte një lëndim të rëndë trupor’ Rasmussenit ‘saqë vdekja do ishte rezultati i mundshëm’.

Pas vendimit, John Negroponte, 83 vjeç, tha se familja e tij do diskutojë një apel të mundshëm me avokatët e tyre.

“As prokurorët dhe ndoshta juria nuk morën parasysh sa duhet kompleksitetin dhe rrethanat lehtësuese të çështjes, traumën e kaluar të Sofisë dhe faktorë të tjerë që çuan në një gjendje shumë të trazuar. Ajo kishte një çrregullim të rëndë të përdorimit të alkoolit.” – tha John Negroponte.

Presidenti Xhorxh W. Bush emëroi John Negroponte si drejtorin e parë të inteligjencës së vendit në vitin 2005. Më vonë ai shërbeu si zëvendëssekretar i shtetit. Ai gjithashtu ka shërbyer më parë si ambasador në Honduras, Meksikë, Filipine, Kombet e Bashkuara dhe Irak.