Një drejtues i lartë i bankës ‘Wells Fargo’ ka humbur punën dhe është arrestuar pasi dyshohet se urinoi një pasagjere të moshuar në një fluturim për në kryeqytetin indian, sipas policisë së Nju Delhit, e cila thotë se burri është ende i lirë.
‘Wells Fargo’ njoftoi shkarkimin të premten, dhe megjithëse gjiganti bankar amerikan nuk e përmendi emrin e punonjësit në fjalë, mediat indiane e kanë identifikuar njeriun si Shankar Mishra, që thuhet se është nëndrejtor i operacioneve të kompanisë në Indi me bazë në Mumbai.
“Wells Fargo kërkon nga punonjësit standardet më të larta të sjelljes profesionale e personale dhe ne i shohim këto akuza thellësisht shqetësuese. Ky individ është pushuar nga Wells Fargo.” – tha banka në një deklaratë, duke shtuar se ajo ‘po bashkëpunon me policinë;.
Edhe pse ende nuk dihet saktësisht se çfarë çoi në incidentin e turpshëm, Mishra u tha se ishte i dehur gjatë një fluturimi nga Nju Jorku në Nju Delhi përpara se të urinonte një grua 72-vjeçare, e cila tha se ‘rrobat, këpucët dhe çanta e saj ishin njomur me urinë’, sipas India Times. Viktima e raportoi sulmin tek ekuipazhi, por nuk e ngriti çështjen me autoritetet.
Megjithëse sulmi ndodhi më 26 nëntor të vitit të kaluar, viktima e moshuar nuk bëri një ankesë zyrtare në ‘Air India’ deri më 20 dhjetor. Sipas raporteve, Mishra më vonë kërkoi falje pasi u kthjellua në aeroplan dhe gruaja ‘e kishte të vështirë të këmbëngulte në arrestimin e tij pasi ai shprehu pendim. Sidoqoftë, ajo përfundimisht vendosi ta raportonte sulmin te përfaqësuesit e linjës ajrore.
Mishra, megjithatë, ka këmbëngulur se çështja u zgjidh shpejt, me avokatin e tij duke lëshuar një deklaratë që thoshte se ish-drejtori bankar e kompensoi gruan disa ditë pas sulmit.
“Mesazhet në WhatsApp mes të akuzuarit dhe zonjës tregojnë qartë se i akuzuari i kishte pastruar rrobat dhe çantat më 28 nëntor dhe të njëjtat ishin dorëzuar më 30 nëntor.” – thuhet në deklaratë. Avokati shtoi se viktima më vonë ia ktheu paratë që i ishin dhënë si kompensim përpara se të bënte ankesën.
Rregullatori i aviacionit të Indisë ka kritikuar linjën ajrore që nuk e raportoi sulmin e turpshëm më herët, duke mos e çuar atë tek autoritetet deri më 28 dhjetor. ‘Air India’ nga ana e saj argumentoi se ‘ngjarja ishte më e ndërlikuar se sa ishte raportuar’, por pranoi ngadalësinë e saj në veprim.