Vendosni fjalën kyçe....

McCarthy zgjidhet pas 15 raundesh votimi në krye të Dhomës së Përfaqësuesve


Pas 15 raundesh votimi, lideri republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, është zgjedhur kryetar i këtij institucioni.

U deshën katër ditë dhe 15 raunde votimi që McCarthy të fitonte, pavarësisht se partia e tij kishte shumicën në Dhomë.

Në zgjedhjet e mesmandatit, republikanët fituan një shumicë të ngushtë në Dhomë 222-212, nga 435 ulëse. Ndërkaq, demokratët mbajtën kontrollin e Senatit.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është personi i dytë për presidencën, pas nënpresidentes Kamala Harris. Ky person vendos agjendën e Dhomës dhe pa miratimin e tij ligjet nuk mund të kalojnë.

McCarthy u bë kandidati i parë në 100 vjet që nuk arriti të zgjidhet kryetar i Dhomës në votimin e parë, pavarësisht se partia e tij ka shumicën.

Për zgjedhjen e kryetarit të ri duheshin 218 vota nga 435 ligjvënës sa ka Dhoma. Republikanët kanë 222 ulëse.

Por, një grup prej 20 ligjvënësish republikanë, të linjës së ashpër, refuzuan për disa ditë t’i japin mbështetje McCarthyt për t’u zgjedhur. Ligjvënësit që kundërshtuan zgjedhjen e tij janë shprehur skeptikë ndaj qëllimeve të McCarthyt, pavarësisht se ai ka mbështetjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një kthesë të jashtëzakonshme në rundin e 12-të të votimit, McCarthy i bindi 14 republikanë që të votonin për të, por atij i mungonin edhe tri vota për të marrë këtë post, që përsëri nuk arriti të fitonte as në rundin e 13-të dhe 14-të.

Kjo ndodhi tek në rundin e 15-të kur ai siguroi mbështetjen e 218 ligjvënësve.

Zgjedhja e kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve ishte kyçe, pasi pa u zgjedhur ai nuk mund të betoheshin anëtarët e rinj të Dhomës, të formoheshin komitete, të çoheshin përpara ligje e as të hetohej administrata e presidentit amerikan, Joe Biden.