Vendosni fjalën kyçe....

Top Channel: Telefoni bën emigrantin trafikant! Kultivuesit e hashashit morën një numër telefoni me dokumente false


Fenomenti i kultivimit të kanabis sativës në Shqipëri vazhdon të prodhojë paradokse gjyqësore.

Një shtetas shqiptar i cili jeton prej vitesh në Greqi është shpallur në kërkim për kultivim droge pasi nga përgjimet telefonike rezultoi se ai fliste në telefon me kultivues të tjerë hashashi.

Emigranti sapo mësoi shpalljen në kërkim autorizoi një avokat duke theksuar se nuk e kishte pasur asnjëherë atë numër telefoni dhe hetimet e provuan këtë version. Një kompani telefonike në Tiranë kishte dhënë numra telefoni midis tyre edhe numri që rezultonte se i përkiste të shpallurit në kërkim, Hasan Xhima.

Akt-ekspertizat e policisë shkencore vërtetuan se shtetasit nën akuzë për falsifikim dokumentesh Leonard Tosuni, Marsela Uka dhe Joana Balliu shkruan në formularët për abonentë të ndryshëm, duke i paraqitur si kërkesë dhe firma që i përkisnin emigrantit Hasan Xhima.

Ky i fundit në këto dokumente dilte që aplikoi për numër në një filial të kompanisë në Kamëz duke paraqitur edhe një fotokopje të pasaportës, ndonëse në të njëjtën kohë gjendej në punë në Greqi si i punësuar nga Theodhoris Stampolis.

Policia shkencore i thotë prokurorisë së punonjësit administruan fotokopje të pasaportës së emigrantit dhe firmosën në emër të tij.

Të tre punonjësit përpiluan procedurë fiktive, deklaron prokuroria. Ky numër që në fakt nuk ishte i emigrantit kreu një seri telefonatash në zonën Krujës, aty ku ndërkohë prokuroria po hetonte një grup dhe po e përgjonte.

Kur prokuroria kërkoi përgjigje se kujt i përkiste numri i telefonit, kompania ju përgjigj se ishte i Hasan Xhimës ndaj dhe nga 2019 drejtësia nuk hezitoi ta shpallë në kërkim. Deri ditën kur policia shkencore theksoi se numri në fjalë nuk ishte përdorur asnjëherë nga emigranti.

Të tre punonjësit janë shpallur në kërkim por ata nuk gjenden në Shqipëri dhe do të gjykohen në mungesë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TCH