Vendosni fjalën kyçe....

Trump e shkarkoi si ‘budalla të mërzitshëm’, ish-këshilltari planifikon të kandidojë për president


Ish-këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, John Bolton, ka thënë se planifikon të kandidojë për president në vitin 2024, duke zbuluar në një intervistë me Good Morning Britain të premten se do sfidojë ish-shefin e tij Donald Trump për primaret republikane.

Bolton, i cili shërbeu në administratat e dy presidentëve Bush dhe në atë të Ronald Reganit përpara qëndrimit të tij të shkurtër si këshilltar për sigurinë kombëtare i Trump, i tha medias se fushata e tij do përqendrohej në një ‘politikë të jashtme shumë më të fortë’.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që kjo të kuptohet jo vetëm në Moskë, por të kuptohet në vende si Pekini, se agresioni i paprovokuar kundër fqinjëve tuaj nuk është diçka që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do e tolerojnë.” – tha ai.

Bolton këmbënguli se mbështetja për politikat e Trump ishte në ‘rënie përfundimtare’, por se republikanët kishin frikë të shpreheshin për pakënaqësinë e tyre.

“Unë mendoj se votuesit amerikanë, votuesit republikanë, njerëzit që zgjedhin kandidatin republikan, gati 95% nuk ​​pajtohen se Trump është më i rëndësishëm se Kushtetuta.” – tha Bolton.

Bolton kishte lënë të kuptohet muajin e kaluar se ai do kandidonte në zgjedhjet presidenciale 2024 nëse kandidatët e tjerë nuk do e dënonin me zë të lartë Trump-in për përpjekjen e supozuar për të anashkaluar Kushtetutën. Trump e shkarkoi Bolton-in si një ‘budalla të mërzitshëm e të pakënaqur që donte vetëm të sajonte luftëra’.