Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili duke publikuar një kronikë të 10 viteve më parë ka përgënjeshtruar deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se qeveria e tij ka çuar vaksinimin në 98%.
Në kronikën thuhet se vaksinimi mbi 98% i fëmijëve është arritur që në vitin 2012 dhe kjo konfirmohet nga vizita e Princeshës Matilde sot Mbretëreshë e Belgjikës për të promovuar Shqipërinë si vend lider në vaksinimin e fëmijëve.
Vasili thotë se këtë deklaratë mund ta konfirmojë edhe Mirela Kumbaro e cila në atë kohë ishte përkthyese e Mbretëreshës Matilde.
Më tej nënkryetari i PL-së thotë se fushata e vetme e Ramës për Covid-19 përfundoi duke vaksinuar vetëm 50% të popullsisë.
Deklarata e plotë:
Edi Rama në hall gënjen rëndë për vaksinimin e fëmijëve.
Edi Rama dy ditë më parë deklaroi se ‘në çfarë gjendje e gjetëm vaksinimin e fëmijëve dhe e çuam 98 %’.
Po ju provojmë me zë dhe figurë sa trashë gënjen Edi Rama.
Që në vitin 2012 Shqipëria arriti vaksinimin e fëmijëve në nivelin mbi 98%.
Kjo u konfirmua nga Princesha Matilde sot Mbretëresha e Belgjikës që erdhi në Tiranë për të promovuar Shqipërinë si një vend lider në vaksinimin e fëmijëve e shoqëruar nga përfaqsuesja e OBSH Zj.Nedret Emiroglu.
Ato konfirmuan publikisht përpara medias shifrën prej mbi 98% vaksinimit siç e shihni edhe në videon e asaj kohë pra të vitit 2012 pra me zë dhe figurë.
Është një rastësi interesante që përkthyese e Princeshës Matilde në atë vizitë ka qenë Ministrja aktuale e Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ajo mund ta ndihmojë Edi Ramën të kuptojë se sa keq e kanë tallur vartësit e tij dhe e bëjnë qesharak dhe i shesin për suksese gjëra të arritura që 10 vjet më parë, por kur për fat të mirë nuk qeveriste ai.
E vetmja fushatë vaksinimi që Edi Rama organizoi ishte kundra Covid dhe rezultati ishte katastrofik ku u vaksinua vetëm 50% e popullsisë ku edhe ata jo të gjithë me vaksina të sigurta.
Edi Rama di vetëm të gënjejë si injorant dhe nga halli nuk ndalet përpara çdo lloj broçkulle që lëshon nga goja.
Sa herë që ai del prisni gënjeshtrën e radhës dhe dështimin e radhës.