Nga Syri.net
Ndiq paranë!
Kjo aksiomë që duhej të kishte udhëhequr punën e SPAK që nga fillimi, u bë realitet nga një pastruese dhe i biri i saj.
Kur të shtunën doli lajmi se Rozeta dhe Havier Dobi, nënë e bir, kishin vjedhur mbi 120 mijë euro në banesën e një gruaje, ku Rozeta kishte shërbyer si sanitare, ai u bë krye-argument në median sociale.
Pyetja që mundonte njerëzit ishte e thjeshtë: kush i linte kaq lirshëm qindra mijëra euro nëpër shtëpi?
Pas lajmeve nga disa media pranë qeverisë se bëhej fjalë për një biznesmene, misteri nuk u shua.
Të dielën drama u bë akoma më e madhe kur u mësua se në banesën e pastrueses Rozeta ishin gjetur mbi 400 mijë euro të tjera.
Tani nuk mund të mendonte kush se ishte një biznesmene, të cilës i ishte vjedhur banesa.
SYRI zbuloi i pari se banesa e grabitur i përkiste një zyrtareje të lartë të shtetit, e quajtur Alda Klosi, këshilltare e Edi Ramës dhe shefe kabineti e Arben Ahmetajt.
Kaq u desh dhe rrjeti mori ‘flakë’.
Kur një zyrtare e Ramës dhe Ahmetajt mban qindra mijëra euro dhe bizhuteri në shtëpi, a mund të imagjinosh se çfarë pasurish kanë siguruar nga korrupsioni shefat e saj?
Lajmi është tronditës dhe do kishte shokuar e madje shembur çdo qeverisje normale në botë.
Por kjo është qeverisje që mbahet në këmbë nga ky korrupsion i frikshëm dhe i padëgjuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.
Pjesë e këtij korrupsioni janë edhe ata të huaj, që duhej të ishin gardianët e demokracisë, por që janë katandisur në Aldat e huaja në Shqipëri.
Edhe ‘ushqimi’ që u kanë servirur shqiptarëve, ai i reformës në drejtësi, ka dalë një gjellë e prishur propagandistike, të cilën anbasadorja Yuri Kim përpiqet ta shesë mezor te qytetarët.
Këta të fundit e kanë refuzuar me kohë këtë ‘gjellë propagande’, pasi as 10 përqind e shqiptarëve nuk besojnë te SPAK-u i partisë.
Se sa i dështuar është SPAK, tani nuk po e tregon vetëm fakti se nuk është hetuar as Edi Rama, as Arben Ahmetaj dhe as Erion Veliaj për mega-aferën e inceneratorëve, e cila shfaqet si fjalë kyçe edhe te rasti i Alda Klosit.
Por mbi të gjithë e tregoi fakti se Rozeta dhe Havieri, pastruesja dhe i biri, e dinin se si ndiqet paraja!
Atë që nuk bëri SPAK, e bëri një pastruese me të birin. Rroftë ‘reforma’!
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Syri.net