Mungesa e fuqisë punëtore ka krijuar tendenca të reja në Shqipëri, siç është sektori fason, të cilët për herë të parë po hapin linja të reja prodhimi për zonat rurale, ku nuk ka ekzistuar më parë industria, përveç punësimeve të grave nga Azia.
Edvin Prençe, kryetari i Proeksport Albania, tha se ka mungesë të theksuar për 20,000 vende të lira pune.
“Një politikë e re që po ndiqet me kujdes nga drejtuesit e Proeksport Albania për anëtarët e saj dhe ka filluar aktivizimin e saj, është marrja e punëtorëve nga vende të treta si Filipinet, Nepali e Birmania me përvojë të ngjashme në vendet e tyre për sektorin tonë dhe shumica, të gjinisë femërore, për të ruajtur historikun që ky sektor ka me rreth 98% të punonjësve të përbërë nga gratë.
Është një zgjidhje me kosto, mundim dhe risi për sektorin, po ashtu e dhimbshme, duke qenë gjithmonë një sektor tradicionalisht patriotik dhe 100% shqiptar, por zgjidhje e domosdoshme, duke pasur mungesë të theksuar në punonjës në rreth 20,000 vende të lira pune.
Gjithashtu ka një tendencë në rritje për zhvendosjen e fabrikave prodhuese në zonat e thella rurale, kur deri dje nuk kishte as edhe një biznes prodhues në ato zona. Por edhe këtu, hasim vështirësi dhe kosto me përgatitjen profesionale të punonjësve, pasi kostoja përballohet thuajse plotësisht nga vetë bizneset dhe nuk ka lehtësi për mbështetjen e këtyre bizneseve.
Nuk ka braktisje të fabrikave, por zakonisht hapje të një linje të re prodhuese për të rritur prodhimin. Ky është kusht i vënë nga klientët e huaj, pasi në të kundërt shkojnë në vend tjetër. Kostoja minimale për ngritjen e një linje të zakonshme, normalisht varion nga 80,000 deri në 100,000 euro”.
Përfaqësuesi i Proeksport Albania thotë se me mbylljen e Kinës, rritja e kostove të transportit dhe afateve me këtë vend dhe lufta në Ukrainë, ka rritur kërkesat për prodhim nga vendet europiane në krahasim me vitin 2021 në rreth 130%.
“Rritja e çmimeve të lëndëve të para është vetëm një pjesë e rritjes në përgjithësi të kostove të një fabrike prodhuese të veshjeve dhe këpucëve. Kjo rritje është në rang global dhe ka ulur këto blerje.
Ajo që sektorin po e çon në kolaps të vërtetë është ulja e kursit të këmbimit (dhe jo për faktin e rritjes ekonomike në vend), rritja e kostos së energjisë, karburantit, taksave qendrore e lokale.
Disa biznese e kishin çmimin e energjisë 11 lekë e disa 14 lekë, ndërsa sot e kanë 18,8 lekë/kwh. Mungesat në punonjës, mungesa e likuiditetit që kanë bizneset për investime, rritja e kostove të paparashikueshme dhe mosmbështetja nga qeveria, po favorizon vendet e tjera në Ballkan si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Pyetja për qeveritarët është: Duam që vendi të jetë faktor i rëndësishëm prodhues në rajon, duam të kemi rritje reale ekonomike; Ju çfarë po bëni dhe pritni ende që të reagoni e të na mbështetni?”, pohon z. Prençe.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor