Policia ka finalizuar operacioni e koduar “Indicia” ku ka goditur një rast të tentativës për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Operacioni u finalizua falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative dhe të administruara nga strukturat hetimore kundër narkotikëve, të DVP Kukës.
Nga operacioni u sekuestruan rreth 70 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis si dhe u arrestua ga 48-vjeçari nga Rumania.
“Strukturat hetimore të DVP Kukës, në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të tentativës për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nga Kukësi me destinacion një nga vendet e BE-së, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe me autoritetet doganore, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Indicia”.
Në kuadër të këtij operacioni, në PKK Morinë, në dalje të RSh-së, shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin rumun F. B., për të cilin disponohej informacion i marrë përmes inteligjencës informative, nga strukturat hetimore të DVP Kukës.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në pjesën e poshtme të automjetit që drejtonte ky shtetas, në shasi, në një hapësirë të përshtatur për të fshehur lëndë narkotike, u gjetën dhjetëra pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 70 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe me 2 aparate celulare.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 48 vjeç, banues në Rumani, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon hetimi i thelluar, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”-njofton policia.