Vendosni fjalën kyçe....

Mbështetësit e ish-presidentit brazilian Bolsonaro sulmojnë Kongresin, përleshen me policinë (Video) – Media


Qindra persona duket se kanë kapërcyer perimetrin e sigurisë dhe kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit Kombëtar të Brazilit. Mbështetësit e Bolsonaros kanë kundërshtuar të pranojnë fitoren zgjedhore të liderit të së majtës, ish-presidentit Lula, shkruan DW.

Mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro sulmuan ndërtesën e Kongresit Kombëtar në Brasilia të dielën.

Sipas agjencisë së lajmeve LUSA, qindra njerëz pushtuan ndërtesën, duke bërë thirrje për ndërhyrje ushtarake për të rrëzuar presidentin Luiz Inacio Lula da Silva. Lula është përuruar një javë më parë.

LUSA tha se grupi kapërceu një pengesë policore dhe u ngjit në platformën që ofron  qasje në çatinë e Kongresit dhe ndërtesave të Senatit.

 

Protestuesit të veshur me bluza të verdha dhe jeshile dhe flamuj brazilianë sulmuan disa automjete të policisë që siguronin ndërtesën, njoftoi agjencia spanjolle e lajmeve EFE. Ata shkatërruan edhe barrierat mbrojtëse.

Që nga zgjedhjet e 30 tetorit, në të cilat Lula mposhti Bolsonaron, qindra njerëz kanë fushuar përpara selisë së ushtrisë në Brasília.

Pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan qindra njerëz që derdheshin në ndërtesë. Protestuesit u pritën me gaz lotsjellës nga ana e policisë.

Një reporter me bazë në Brasília ndau një video në Tëitter që supozohet se tregonte protestuesit që sulmojnë ndërtesën.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DW