Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva tha se autorët e sulmit ndaj Kongresit e ndërtesave të tjera qeveritare do identifikohen e do ndëshkohen pasi mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro sulmuan Kongresin.
Skenat dramatike vijnë një javë pas betimit të veteranit të majtë. Mbështetësit e Bolsonaros, të cilët kanë kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, duke i konsideruar ato si të manipuluara, thyen barrierat e policisë në kryeqytetin, Brasília.
Policia përdori gaz lotsjellës, por nuk arriti t’i zmbrapsë demonstruesit. Da Silva, i njohur më mirë si Lula, tha se nuk kishte ‘asnjë precedent në historinë e vendit tonë’ për skenat e para në Kongres dhe në Gjykatën e Lartë.
Ai e quajti dhunën ‘akte vandalësh e fashistësh’.
Protestuesit kanë thyer xhamat, ndërsa të tjerë arritën në dhomën e Senatit. Është e paqartë nëse ata janë ende në ndërtesë.
Pamjet në mediat sociale tregojnë protestuesit duke tërhequr një polic nga kali dhe duke e sulmuar atë jashtë ndërtesës.