Bashkëshorti i Rozeta Dobit, e cila u arrestua bashkë me të birin Havier Dobi, pasi akuzohet për grabitjen e një shume të madha parash e bizhuterish në banesën e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt ka pohuar se nuk dinte gjë për paratë.
Në një deklaratë dhënë për emisionin në Euronews Albania, ai ka pohuar se nuk kishte dijeni për veprimet e bashkëshortes.
Spartak Dobi tha se gjendja ekonomike e familjes nuk ka qenë e keqe pasi ka punuar në të shkuarën si polic dhe se merr pension të mirë.
“Nuk kam pasur dijeni për ngjarjen e as nuk dua të kem. Kam 25 vite me të. Kam dy kalamaj me të. Gocën e kam shtatzënë, po qan. Djali nuk kishte pse të futej në këtë ngjarje. Nuk e di të saktë mirë, i vras të gjithë. Policia ka ardhur pardje. Policia i gjeti dje paratë, unë nuk kam ditur gjë. Unë marr pension të mirë. Kam punuar vet polic.” – tha Spartak Dobi.
Pas kontrollit në banesën e Spartak Dobit, policia gjeti rreth 400 mijë euro, rreth 7 mijë dollarë e bizhuteri ari të fshehura në tubin e aspirimit.