Partia Demokratike kishte lajmëruar sot një deklaratë për të bllokuar punimet e Bashkisë së Tiranës për asfaltimin e rr. “Xhon Belushi”.
Por, disa nga banorët e zonës kanë dalë dhe kanë larguar deputeten Albana Vokshi dhe Gent Strazimirin, duke i akuzuar ata për bllokim të punëve të qytetit.
“Ikni, lëreni bashkinë të na bëjë rrugën. Ta kishit bërë ju kur e kishit bashkinë”, janë shprehur banorët.
Më pas, Vokshi e Strazimiri denoncuan kryebashkiakun Veliaj, në një deklaratë para Bashkisë Tiranë duke theksuar se u larguan nga rruga nga patronazhistët e Erion Veliajt, duke akuzuar këtë të fundit se kërkon të fshehë vjedhjen që po bën me tenderin e rrugës.
“Jam këtu së bashku me zotin Strazimiri dhe me anëtarë të kryesisë së PD-së, dega 4 dhe banorë të zonës, nuk e bëmë dot deklaratën atje ku e kishim planifikuar, për shkak të angazhimit të ushtrisë së patronazhistëve të Erion Velisë të cilit unë i them t’i tërheqë urgjentisht. Çfarë nuk donte Erion Veliaj që të shihnin qytetarët? Vjedhjen skandaloze. Veliaj këtë herë është kapur në flagrancë ndaj edhe drejtësia duhet të kishte reaguar që në momenti që Këlliçi e denoncoi dy net më parë” – tha Vokshi.