Twitter ka shkarkuar të paktën një duzinë punonjës përgjegjës për trajtimin e ‘politikës së dezinformimit, apeleve globale dhe mediave shtetërore’ në zyrat e tij në Dublin dhe Singapor, raportoi Bloomberg të shtunën, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje. Është e fundit në një seri reformash radikale të kryera nga shefi i ri i platformës së mediave sociale, Elon Musk.
Shefja e Sigurisë në Twitter, Ella Irwin, i tha medias se për të ‘konsoliduar ekipet’, kompania eliminoi pozicionet dhe punët e dyfishta me ngarkesë të pamjaftueshme pune për të justifikuar ekzistencën e tyre.
Shkurtimet e së premtes thuhet se prekën kreun e integritetit të faqes për rajonin Azi-Paqësor të Twitter, Nur Azhar Bin Ayob dhe drejtoreshën e lartë të politikës së të ardhurave, Analuisa Dominguez, ndërsa të tjerët kërkuan të mos identifikoheshin.
Në një deklaratë të veçantë për Reuters, Irwin pranoi disa shkurtime të reja në departamentin e saj, por tha se kompania ka ende ‘mijëra njerëz’ përgjegjës për moderimin e përmbajtjes dhe ‘nuk ka bërë shkurtime për ekipet që e bëjnë atë punë çdo ditë’.
Pas përfundimit të blerjes së tij të Twitter për 44 miliardë dollarë në tetor, Musk pranoi se falimentimi ishte një mundësi për gjigantin e mediave sociale nëse nuk fillon të prodhojë më shumë para.
Në një përpjekje për të ulur kostot, ai pushoi gjysmën e stafit të kompanisë, duke përfshirë shumicën e drejtuesve të lartë, dhe urdhëroi punonjësit e mbetur të ndalonin së punuari nga shtëpia. Në total, rreth dy të tretat e punonjësve dhe kontraktorëve të kompanisë globalisht u pushuan nga puna ose u larguan.
Si pronari i ri i platformës, Musk gjithashtu shtyu të zvogëlojë kufizimet e përmbajtjes, duke u zotuar se do ta bëjë Tëitter një ‘bastion’ të fjalës së lirë, duke sjellë një sërë ndryshimesh politikash që shkaktuan një reagim të ashpër nga institucionet e medias.
Ai riaktivizoi llogaritë e dhjetëra përdoruesve të tij më të diskutueshëm dhe filloi të ndante komunikimet e brendshme të kompanisë duke lënë të kuptohet për një komplot masiv politik midis administratës amerikane, agjencive të inteligjencës dhe platformave Big Tech për të censuruar histori, opinione dhe njerëz të papërshtatshëm politikisht.