Vendosni fjalën kyçe....

“Bujqësia në krizë të thellë, në 10 vite Edi Rama i mashtroi, braktisi e rrënoi fermerët” – Denoncimi i PL-së (Video)


Partia e Lirisë ka akuzuar qeverinë për gjendjen në të cilën ndodhet bujqësia në vend. Sekretari i Përgjithshëm Blushi shkruan se bujqësia është në krizë të thellë.

Ai sjell si shembull një kronikë mediatike për fermerët në Roskovec ku thekson se ata po i braktisin tokat dhe se në shumë prej serave nuk ka të mbjella.

Blushi rendit çmimin e naftës, fidanëve, pesticideve, emigracionin e mungesën e tregut e braktisjen e shtetit si disa nga shkaqet për krizën në bujqësi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë shkruan më tej se ndryshe nga fermerët në vend, ata në Kosovë e Maqedoninë e Veriut marrin çdo vit subvencione konkrete.

Blushi shkruan gjithashtu se në 10 vite kreu i qeverisë Rama nuk bëri atë që premtoi por i braktisi, i mashtroi e rrënoi fermerët duke i detyruar të ikin nga vendi.

“Bujqësia shqiptare është në krizë të thellë. Në Roskovec të Fierit fermerët po i braktisin tokat. Në shumë prej serave këtë dimër nuk ka të mbjella. Nafta, fidanët dhe pesticidet janë në çmime që nuk i përballojnë dot. Shumë kanë ikur në emigrim pasi kostot e larta, mungesa e tregut për prodhimet dhe braktisja nga shteti i çuan drejt falimentit. Ndërkohë që fermeri shqiptar është i zhytur në borxhe dhe i braktisur nga shteti në një treg të pabarabartë, fermeri në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut përfiton çdo vit subvencione konkrete dhe lehtësira të tjera. Askush nuk pret më asgjë nga “Rilindja”! Në 10 vite Edi Rama nuk bëri atë që premtoi, por ua ktheu jetën në ferr fermerëve. I mashtroi, i braktisi, i rrënoi ekonomikisht dhe i detyroi të largohen nga vendi. Shqipëria nuk mund të jetë “hambar” për Edi Ramën, por duhet të jetë vendi i shanseve dhe mundësive për të gjithë që duan të jetojnë dhe punojnë ndershmërisht!” – shkruan Blushi në Facebook.