Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, shkarkoi guvernatorin e Distriktit Federal të Brasilias, Ibaneis Rocha, nga posti i tij për 90 ditë pasi mbështetësit e k ish-presidentit Jair Bolsonaro sulmuan ndërtesat qeveritare në kryeqytet.
Trazirat në një shkallë të tillë, të cilat panë mijëra demonstrues që pushtuan Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe Pallatin presidencial Planalto të dielën, ‘mund të ndodhin vetëm me miratimin dhe madje pjesëmarrjen efektive të autoriteteve kompetente’, tha gjykatësi, duke shpjeguar vendimin e tij.
Fakti që po përgatiteshin protesta të mëdha nga mbështetësit e Bolsonaro, të cilët ishin të pakënaqur për humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit ndaj kundërshtarit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva, ishte i njohur dhe i raportuar gjerësisht në media, vuri në dukje ai.
Sipas gjyqtarit, Ibaneis ‘jo vetëm që bëri deklarata publike duke mbrojtur një ‘demonstratë politike të lirë në Brasilia…ai gjithashtu injoroi të gjitha thirrjet e autoriteteve për të zbatuar një plan sigurie.
Veprimet e rebelëve ishin ‘të neveritshme’, tha Moraes, ndërsa u zotua se ata që organizuan dhe morën pjesë në sulmin ndaj institucioneve do mbajnë përgjegjësi.
“Demokracia braziliane nuk do tronditet e as nuk do shkatërrohet nga terroristët.” – këmbënguli gjyqtari.
Moraes vendosi që kampet jashtë bazave ushtarake të ngritura nga protestuesit pro Bolsonaros duhet të hiqen brenda 24 orëve, ndërsa urdhëroi gjithashtu platformat e mediave sociale Facebook, Twitter dhe TikTok të bllokojnë llogaritë e përdoruesve që përhapin përmbajtje që nxisin dhunë.
Policia arrestoi të paktën 400 persona ndërsa po përpiqej të rivendoste rendin në kryeqytet të dielën. Presidenti i sapobetuar brazilian Lula ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të qëndrojë në fuqi në Brasilia deri në fund të muajit. Ministri i Drejtësisë Flavio Dino e përshkroi kaosin në Brasilia si një tentativë ‘grushti shteti’ dhe premtoi më shumë arrestime.