Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka prezantuar vlerën se sa do të subvencionohen kulturat bujqësore në kuadër të Programit për Pagesat Direkte 2023. Buxheti për bujqësi gjatë këtij viti pritet të jetë mbi 100 milionë euro.
Qeveria e Kosovës ka lansuar programin për pagesa direkte për bujqit në vitin 2023.
Kryeministri Albin Kurti ka treguar se buxheti për bujqësi gjatë këtij viti pritet të kalojë vlerën e 100 milionë eurove, i cili sipas tij do të kontribuojë në forcimin ekonomik të bujqve të Kosovës.
“Startin për këtë vit e kemi shumë të mirë. Buxhetin për bujqësi për vitin 2023 për herë të parë do të arrijë shifrën 87 milionë euro. Bashkë me mbështetjen në fondet e jashtme pritet të kalojë vlerën prej 100 milionë euro”.
Kurti përmendi disa prej sukseseve që i kanë arritur në këtë fushë vitin e kaluar, mirëpo ka thënë se garën me vetën për mbështetjen e bujqve po e fillojnë sot.
“Garën me vetën në fushën e bujqësisë po e fillojmë sot, vetëm në ditën e gjashtë të vitit si asnjëherë më parë së bashku me ministrin Faton Peci, po shpalosim para jush programin për pagesa direkte 2023. Ky program në krahasim me vitin 2022 mes tjerash ka disa risi të cilët ne jemi të bindur se do të kontribuojnë në sektorin e bujqësisë dhe forcimin ekonomik të bujqve tanë”.
Kurse, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka treguar se lansimi i këtij programi është i mundur pasi vitin e kaluar në afat rekord kanë mbështetur bujqit në Kosovë.
“Ky program është i mundur pasi vitin që lamë pas në afat rekord mbështetëm vetëm në kategorinë e subvencioneve 28 mijë e 222 fermerë në vlerë 61 milionë euro pa asnjë obligim financiar si asnjëherë më parë. Si rezultat i përkrahjes së madhe është shënuar rritje në eksportet bujqësore në shkallë 44 për qind”.
E gjatë ditës së sotme, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit ka prezantuar vlerën se sa do të subvencionohen kulturat bujqësore në kuadër të Programit për Pagesat Direkte 2023.
Subvencionimi i farës së grurit do të jetë 614 euro për hektarë, prej të cilave 250 euro janë për sipërfaqe, 150 euro për plehërimin, 54 për naftën dhe 0.04 euro për kilogram.
Gështenja do t’i bashkohet këtë vit subvencionimit të dru-frutoreve me 504 euro për hektarë.
Po ashtu, për lëndën e parë të prodhimit të vajit ushqimor, subvencionimi i lulediellit do të jetë 454 euro për hektarë.
Te pagesa direkte për bimët mjekësore dhe aromatike është shtuar subvencionimin për bimët mjaltëdhënëse me 450 euro për hektarë.
Subvencionimi i grurit, do të jetë 474 euro për hektarë, ai i misrit me 329 euro, patates me 654 euro dhe fasules me 654 euro për hektarë.
Nga ana tjetër kulturat pemëtare subvencionohen me 504 euro për hektarë, perimet në sipërfaqe të mbyllura do të përkrahen me 904 euro dhe ato në sipërfaqe të hapur me 554 euro për hektarë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor