Vendosni fjalën kyçe....

Rusia po ofron marrëveshje paqeje ‘të stilit korean’ – Kievi


Rusia dëshiron një armëpushim që do ndajë tokat e Ukrainës, ngjashëm me atë se si ndahet sot Gadishulli Korean, ka thënë Aleksey Danilov, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, cituar nga mediat e vendit.

Deklarata e tij erdhi pasi Moska përsëriti se negociatat e paqes janë të mundshme nëse Kievi njeh territoret e reja të Rusisë.

“Ata po na ofrojnë aktualisht një mundësi koreane. Nga njëra anë do kemi disa ukrainas dhe nga ana tjetër do kemi ukrainas të ndryshëm.” – tha Danilov në një intervistë televizive të dielën, sipas kanalit ukrainas të lajmeve TSN.

Lufta Koreane e viteve 1950–53 përfundoi me një armëpushim që zyrtarizoi paralelin e 38-të si kufirin de-fakto midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.

“Unë e di me siguri se një nga mundësitë që mund të na ofrojnë është ‘paraleli i 38-të’.” – tha Danilov.

Ai pretendoi se Dmitry Kozak, nënkryetari i administratës presidenciale të Rusisë, ka folur me politikanët e BE-së dhe ‘përcjell mesazhin se ata janë të gatshëm për shumë lëshime në mënyrë që të njohin status quo-në dhe të na detyrojnë në një lloj armëpushimi.