Vendosni fjalën kyçe....

Avokati “anglosakson” ka një skenar: Alda Klosi mund t’i ketë gjetur në rrugë çantat me lekë


Spartak Ngjela (i vetëquajtur si kalibër anglosakson) ka një skenar interesant lidhur me burimin e 120 mijë eurove të vjedhura në banesën e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt.

I ftuar në emisionin ‘Breaking’ në Top News, Ngjela tha se Alda Klosi është e justifikuar për shumën që i është vjedhur, pasi ‘mund t’i ketë gjetur në rrugë’.

Ngjela theksoi se ish-zyrtarja nuk ka kryer vepër penale dhe se SPAK nuk ka lidhje me çështjen në fjalë.

“Ajo është e justifikuar. Nuk ka vepër penale, është vepër administrative. Ajo mund të thotë lekët i kam gjetur në rrugë. Ligji e thotë qartë, kur i gjen është e jotja. Kur i del pronari është problem. Ajo ka thënë që po mblidhja lekë për xhaxhain. Ajo mund të nxjerrë 10 dëshmitarë, që të thonë i dhashë unë 5000 mijë, i dhashë unë 10 mijë. SPAK merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nëse ky është krim i organizuar atëherë çështja do shkojë në SPAK, përndryshe jo.” – tha Ngjela.

Lidhur me grabitjen e ndodhur më 15 dhjetor dhe për të cilën akuzohen pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi, të dy në paraburgim, prokuroria ka nisur hetimet mbi burimin e të ardhurave të Klosit.

Në banesën e Rozeta Dobit policia gjeti mbi 400 mijë euro e burimi i tyre nuk dihet ende duke qenë se Klosi ka denoncuar se i janë vjedhur vetëm 120 mijë euro ndërsa personat e tjerë që janë vjedhur nga pastruesja kanë denoncuar vetëm vjedhje bizhuterish, po jo parash.