Vendosni fjalën kyçe....

Dokumentet e shënuara sekret në ish-zyrën e Biden, Republikanët kërkojnë vlerësimin e dëmeve


Republikanët e komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërkuar që agjencitë amerikane të zbulimit të bëjnë një vlerësim të dëmit të shkaktuar si pasojë e posedimit të dokumenteve, me gjasë të klasifikuara, nga ana e zotit Biden. Ato u gjetën në zyrën e vjetër të tij.

Ligjvënësi Mike Turner i dërgoi të martën një kërkesë drejtores së Zbulimit Kombëtar Avril Haine ku shkruhej se duke mbajtur dokumentet, zoti Biden mund të ketë shkelur ligjet që garantojnë mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare, sikurse Aktin e Spiunazhit dhe Aktin e të Dhënave Presidenciale, raporton VOA.

Pavarësisht se Departamenti i Drejtësisë po merret me këtë çështje, zbulimi se zoti Biden me gjasë ka patur në zotërim dokumente sekrete, në kohën kur nuk kishte funksione zyrtare, mund të shkaktojë probleme politike për presidentin. Me daljen ne dritë të lajmeve se ish presidenti Trump kishte marrë dosje sekrete pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Biden e quajti veprimin e tij si “të papërgjegjshëm”.

Vetë zoti Biden injoroi pyetjet mbi këtë çështje gjatë takimit dypalësh me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, në Meksikë.

Kërkesa e zotit Turner vjen një ditë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë po shqyrton një grup dokumentesh që dyshohet se janë sekrete, të gjetura brenda ish-institutit të Presidentit Joe Biden.

Njoftimi i bërë nga Shtëpia e Bardhë të hënën citon këshilltarin ligjor të presidentit, Richard Sauber i cili thotë se “një numër i vogël dokumentesh, të shënjuara sekrete” ishin zbuluar nga avokatët personalë të presidentit amerikan ndërsa pastronin zyrat e qendrës “Penn Biden” në Uashington.

“Kujtdo që i është dhënë besimi te ketë qasje tek informacioni i klasifikuar e ka për detyrë ta mbrojë atë”, thuhet në letrën e zotit Turner drejtuar zonjës Haines. “Kjo çështje kërkon një shqyrtim të plotë”, shtonte më tej ai.

Këshilltari ligjor i presidentit Biden tha se avokatët njoftuan menjëherë zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe se dokumentet e gjetura iu dorëzuan Administratës Kombëtare të Arkivave. Kjo e fundit nuk iu përgjigj kërkesës për një koment ditën e hënë.

Një person që ka njohuri mbi këtë çështje, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” në kushte anonimiteti, se Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland i kishte kërkuar prokurorit të Illinoit John Lausch të shqyrtonte çështjen.

Zoti Lausch është një nga prokurorët e paktë që vazhdon punën ndonëse është emëruar nga administrata e presidentit, Donald Trump.

Zëdhënësit e zotit Garland dhe Lausch refuzuan të jepnin një koment.

Lajmi për dokumentet në posedim të zotit Biden, përkon me marrjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët, të cilët janë zotuar të nisin hetime të gjera ndaj administratë së zotit Biden.

Kjo çështje mund të komplikojë gjithashtu vendimin e Departamentit të Drejtësisë nëse do të ngrejë akuza ndaj ish presidentit Trump, i cili ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Zoti Trump ka pretenduar vazhdimisht se hetimi i Departamentit të Drejtësisë ndaj tij është një akt “korrupsioni”.

Zoti Biden mbajti një zyrë në Uashington pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017, deri pak para se të niste fushatën presidenciale më 2019. Këshilltari ligjor i presidentit, Richard Sauber tha se dokumentet u gjetënnë një dollap të mbyllur në zyrë, disa ditë para zgjedhjeve për Kongresin, që u mbajtën më 8 nëntor 2022.

Ligjvënësi republikan Jim Jordan i cili do të drejtojë komisionin e Ligjeve në Dhomën e Përfaqësuesve tha të hënën se opinioni publik duhej të ishte informuar më parë mbi dokumentet e klasifikuara.

“Ata e dinin këtë gjë përpara zgjedhjeve dhe ndoshta këtë duhet ta dinte edhe populli amerikan”, tha zoti Jordan.

Mbetet ende e paqarte se përse Shtëpia e Bardhë nuk njoftoi më parë rreth dokumenteve të zbuluara. Lajmi për gjetjen e tyre u njoftua fillimisht të hënën nga rrjeti televiziv CBS.