Vendosni fjalën kyçe....

Meta akuza qeverisë: ‘Rilindja’ kundër bujqësisë, synon shpopullimin e vendit dhe grabitjen e tokave të fermerëve


Kreu i Partisë së Lirisë ka akuzuar qeverinë Rama se ka punuar kundër bujqësisë në vend me qëllim shpopullimin.

Meta tha se sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, dega e vetme që shënoi rënie në 9-mujorin e vitit 2022 ishin bujqësia, ku bëjnë pjesë edhe pyjet e peshkimi.

Meta theksoi se bujqësia ndihmon më 45% në punësimin në vend e po tkurret në mënyrë të pandalshme.

Ai shtoi në fund se qeverisja ‘rilindase’ është e vendosur të punojë kundër bujqësisë me synim shpopullimin e vendit dhe rrëmbimin e tokave të fermerëve.

Reagimi

“Rilindja” një qeverisje totalisht kundër Bujqësisë dhe me qëllim shpopullimin!

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se dega e vetme që shënoi rënie në 9-mujorin e 2022 ishte Bujqësia, ku përfshihen pyjet dhe peshkimi.

Bujqësia, dega kryesore e ekonomisë në vend, që zë gati një të pestën e ekonomisë kombëtare dhe kontribuon me rreth 45% në punësim vetëm po ulet dhe po tkurret në mënyrë të pandalshme.

Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur Qeveria në Shqipëri jep dhjetëra herë më pak subvencione se sa në Kosovë.

Rritja e kostove të lëndëve të para kultivimi i produkteve bujqësore hasi në vështirësi vitin e kaluar kryesisht nga rritja e kostove të lëndëve të para.

Çmimet e inputeve bujqësore që u rritën nga 50 në 100 për qind kanë bërë që sipërfaqet e mbjella në sera të reduktoheshin.

Rënie të dukshme po pëson sektori i blegtorisë, që është nën-sektori i madh në Bujqësi.

Shpopullimi i popullsisë në zonat rurale është shkak kryesor për rënien e numrit të bagëtive.

Fermat e vogla blegtorale me 1 deri në tre krerë po zhduken me shpejtësi, jo vetëm nga pakësimi i popullsisë, por edhe nga plakja e saj.

Vetëm gjatë vitit 2021 numri i bagëtive është reduktuar mbi 7 për qind, teksa në krahasim me 10 vite më parë numri i krerëve për mish dhe qumësht ka shkuar drejt përgjysmimit.

Qeverisja “rilindase” është e vendosur totalisht kundër Bujqësisë me qëllim shpopullimin dhe rrëmbimin e tokave të fermerëve për llogari të oligarkëve.”