Vendosni fjalën kyçe....

“Faqen ta prek një çikë kështu…” – Punonjësja e Tatimeve denoncon kolegun për ngacmim seksual e përndjekje


Një punonjëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka denoncuar kolegun e saj për përndjekje e ngacmim seksual.

Rasti është bërë publik në emisionin ‘Stop’ në TV Klan, e denoncuesja ka punuar prej 18 vitesh te Tatimet e në 5 vite e fundit të Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Ajo pretendon se është ngacmuar seksualisht, përndjekur, shantazhuar e dhunuar fizikisht nga kolegu Mexhit Allushi.

“Prej 18 vitesh jam punonjëse e administratës tatimore. Prej 5 vitesh në administratën qëndrore të Tatimeve, domethënë në Drejtorinë e Përgjithshme Tatimore, në një nga sektorët të ndjeshëm siç është auditi i brendshëm. Më vjen shumë keq që përveç historisë time, të ‘diskretitohet’ dhe emri i këtij institucioni. Para 3 vitesh më ka rastisur të punoj me një nga kolegët e mi që është pak në moshë dhe quhet Mexhit Allushi. Pashë që përveç kësaj, zotëria filloi të kishte dëshira jashtë punës. Shihja që në mëngjes merrte lulet dhe i vendoste te makina, gjë që më bënte non sens. Bënte muhabete pak të turpshme që nuk mund t’i përmend në këtë intervistë. Gjatë udhëtimeve që bënim, sepse ai ishte shofer, filloi të vinte dorën mbi këmbë. Në atë moment i thashë të lutem. Më fal, tha, se rëshkiti. Pastaj një herë tjetër filloi përsëri. I thashë, të lutem…Filloi të ngacmojë dhe me duar. Një herë tjetër filloi të kapte nga fytyra, nga faqet. Ore ç’a bën? Shiko, unë doja pak të të prekja kështu. Gjatë orarit të punës më përndiqte qoftë me sy qoftë nga dritarja, ku shkoja, me kë pija kafe. Vinte tek hoteli ku qëndronim, pyeste a ka ardhur? Kur ka ardhur? Kur vjen? Me kë vjen? Kur dilja në mëngjes, recepsionistja që dorëzoja çelësin thoshte shiko se më ka pyetur kolegu jot për këto gjëra. Shtangesha. Telefonin e merrja e lija në një cep të shtëpisë aty, shikoja mesazhet që pse nuk e çon telefonin. Si duket ai ushqente iluzione… unë nuk e di, nuk e kuptoj. Unë nuk i kam lënë asnjë lloj shkaku.” – ka deklaruar denoncuesja.

Gjatë emisionit janë zbuluar edhe mesazhet në telefon që denoncuesja thotë se i janë dërguar nga 60-vjeçari Mexhit Allushi pas orarit të punës.

Punonjësja e administratës ka pohuar se rastin e saj e ka referuar te drejtuesi Shpëtim Projku, i cili nuk ka marrë asnjë masë.

“I kërkoj drejtorit tim direkt dhe i them, ju lutem sepse unë isha bashkë me një koleg tjetër që do auditonim këtë drejtori, dhe ndër të tjerash drejtori sjell edhe këtë person. I them, të lutem o ço ata të dy ose ço grupin siç ishte sepse unë nuk mundem. Drejtori menjëherë, shiko se ka kaluar, është harruar, në qoftë se do ketë debate të lutem më njofto, domethënë drejtorit tim nuk i ka interesuar kurrë cënimi i dinjitetit të punonjësve të vetë. I kam nisur email në datën 21.4.2022 ora 10:00 dhe i kam thënë të gjitha arsyet ligjore përse unë nuk dua të jem pjesë e grupit me zotërinë. Ai e dinte shumë mirë arsyen. Më kthen një përgjigje në datën 22.4.2022 dhe më thotë që kërkesa ime nuk pranohet. Dhe absurditeti vazhdon me fjalinë që po bëhesh pengesë për vazhdimin e programit. Kërkesa juaj nuk pranohet. Ju po bëheni pengesë për vazhdimin e mëtejshëm të programit.” – deklaron denoncuesja.

VINI RE: Citimet marrë nga TvKlan.al