Punonjësit e Portit në Shëngjin janë detyruar të dalin sot në protestë për shkak të mungesës së pagave dhe mospërfitimin e shpërblimit të qeverisë.
Ata shprehen për mediat se institucioni po shkon drejt falimentimit dhe se sipas tyre shumë punonjës janë fiktivë.
“Pagën nuk na e japin në datën e caktuar, në datën 1, por shkon deri më 23. Nuk po marrim rrogën, shpërblime jo e jo. Nuk e kuptoj përse kërkojnë punëtorë. Që kur ka ardhur ky drejtor vonohen pagat. Na kanë shkatërruar”, ka thënë një nga protestuesit për mediat.
Gjithashtu ata kanë akuzuar edhe drejtues të Portit se për shkak të keqmenaxhimit po e falimentojnë këtë institucion.
“Porti i Shëngjinit po shkon drejt falimentimit, nga drejtoria e ndërmarrjes. Ka patronazhistë të PS që marrin rrogë pa ardhur fare në punë. Ka shumë që nuk vijnë fare në punë, janë mbi rreth 30 vetë”.