Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i FIFA-s merret në pyetje nga prokurorët


Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, u takua me prokurorët specialë zviceranë të martën në mes të një hetimi mbi takimet e tij të supozuara me Prokurorin e Përgjithshëm të vendit si pjesë e një hetimi më të gjerë të zyrtarëve të futbollit.

Rekomandimet e procedimit penal kundër Infantinos janë lëshuar në vitin 2020 nga një prokuror tjetër special, i cili që atëherë është hequr nga çështja nga një gjykatë federale në Zvicër. Prokurori special Hans Maurer konfirmoi për Associated Press se ‘në procedurë u mbajt një seancë konfrontimi’, të cilën ai e mbajti së bashku me një prokuror tjetër, Ulrich Weder.

“Megjithatë, unë nuk komentoj për kohën e qëllimin e kësaj séance.” – shtoi Maurer.

Hetimi përqendrohet në tre takime të pazbuluara të cilat dyshohet se janë mbajtur në vitin 2016 e 2017 midis Infantinos dhe prokurorit të përgjithshëm të atëhershëm Michael Lauber, menjëherë pasi Infantino u zgjodh president i FIFA-s dhe pas hetimeve amerikane dhe zvicerane ndaj paraardhësit të Infantino, Sepp Blatter.

Të pyetur nga mediat në lidhje me takimet në vitin 2018, si Infantino ashtu edhe Lauber pohuan se nuk mbanin mend për çështjet që u diskutuan.

Lauber u hoq më vonë nga pozicioni i tij kur u pretendua se ai kishte penguar prokurorët që po përpiqeshin të zbulonin më shumë informacion rreth temës së takimeve me Infantinon.

FIFA nuk ka komentuar mbi zhvillimet e fundit, por tha më parë se ‘si FIFA ashtu edhe presidenti i FIFA-s janë plotësisht të disponueshëm për të bashkëpunuar me autoritetet, pavarësisht nëse kjo ka të bëjë me takimet që presidenti i FIFA-s ka pasur me ish-prokurorin e përgjithshëm të Zvicrës, apo ndonjë gjë tjetër’.

Infantino pritet të rizgjidhet në krye të FIFA-s në mars, pasi kandidoi pa kundërshtarë për këtë pozicion për një mandat tjetër katërvjeçar, me kusht që të kalojë një kontroll të përshtatshmërisë dhe integritetit si pjesë e procesit.