Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i ndërmarrjes energjetike të Afrikës së Jugut pretendon se u helmua me cianid në përpjekjen për ta vrarë


Drejtori ekzekutiv në largim i kompanisë shtetërore energjetike të Afrikës së Jugut ‘Eskom’, Andre de Ruyter, i ka thënë policisë së vendit se ai i mbijetoi një tentative të dyshuar për ta helmuar atë me cianid në fund të vitit 2022.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur më 13 dhjetor, një ditë pasi ai dha dorëheqjen si drejtues i ndërmarrjes përballë presionit politik, por përpara se të bëhej e ditur publikisht më 14 dhjetor. Sipas EE Business Intelligence (EEBI), de Ruyter u sëmur rëndë pasi kishte pirë një filxhan kafe të dyshuar me cianid në zyrën e tij në Johannesburg.

“De Ruyter u bë meit, u trullos e u hutua, duke u dridhur në mënyrë të pakontrolluar dhe duke vjellë me shumicë. Ai më pas u rrëzua, në pamundësi për të ecur.” – tha EEBI, duke shtuar se ‘ai u dërgua me shpejtësi në spital dhe ku gjendja e tij u diagnostikua si helmim me cianid dhe u trajtua në përputhje me rrethanat’. Gazeta vuri në dukje gjithashtu se ‘analizat e kryera më pas konfirmuan nivele masive të larta të cianidit në trupin e tij’.

De Ruyter mori detyrën si CEO në vitin 2020 dhe drejtoi një operacion të gjerë të kompanisë kundër korrupsionit në njësinë shtetërore të energjisë elektrike të Afrikës së Jugut, e cila kishte përfshirë sabotimin e infrastrukturës në uzinat e Eskom, raportuan mediat lokale. Kompania siguron pothuajse të gjithë energjinë elektrike në vend.

Sipas raporteve të medias, CEO në largim është përpjekur gjithashtu të trajtojë grupet e dyshuara kriminale që kishin përfituar nga shërbimi shtetëror përmes përdorimit të qymyrit korruptiv dhe kontratave të tjera.

De Ruyter konfirmoi për Bloomberg se kishte paraqitur një ankesë në polici. Ai do qëndrojë në detyrë deri më 31 mars derisa të identifikohet zëvendësuesi i tij.