Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, drejtori në ministri Fatmir Hoxhaj e përmbaruesi Alban Ruli u arrestuan dje pasi akuzohen se përmes veprimeve të tyre i kanë shkaktuar buxhetit një dëm rreth 1.2 milionë euro.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur për BW skemën si funksiononte tërheqja e lekëve nga Ilir Thana, i cili është arrestuar më herët. Thana ka bërë tërheqja të shumta deri në 1 milion lekë të reja nga llogaria e së motrës duke qenë i pajisur me prokurë të veçantë. Tërheqjet prej tij janë bërë nga 11 tetori 2022 deri më 14 dhjetor 2022.
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.” – thuhet në dosje, raporton Lala.
Thana rezulton se më datë 2 dhjetor 2015 me anë të kontratës ka shitur të njëjtin objekt për të cilin më tej ka kërkuar vënien në ekzekutim dhe është bërë vlerësimi në rreth 150.000.000 lekë. Organi procedues konstaton se funksionarë të Ministrisë së Financave kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë bërë të mundur kalimin deri në këtë moment të shumës prej 48.118.366 lekë në llogarinë e Ilir Thana dhe Shpresa Prifti.
Në vitin 2015 nga ana e përmbaruesit gjyqësor Suela Ndreca i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë me nr.16 datë 14.07.2000.
Sipas dosjes më datën 16 shtator 2022 ka dalë sërish urdhër i brendshëm, konkretisht bllokim i fondeve buxhetore në shumën 145.583.781 lekë nënshtruar nga Elmira Feto, kryetare e Degës së Therasit Tiranë. Në datën 7 tetor 2022, kreditori Ilir Thana i kërkon përmbaruesit Alban Ruli që çdo shumë që do të kreditohet, t’i dhurohet motrës së tij Shpresa Prifti.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit Ilir Thana sa vlera e objekteve të blera (magazinë dhe truall) 103.046 lekë, e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.
Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogarinë e z. Thana vlera prej 284 139 lekë me urdhër shpenzimin nr.90 datë 27.02.2015, shkruan BW.
Në datën 29.08.2022 me nr. 4442/2 Dega e Thesarit Tiranë ka nxjerrë urdhrin e brendshëm për bllokim të fondeve buxhetore në artikullin 602 bazuar mbi urdhrin e përmbaruesit nr.7/723 datë 11.08.2022, në favor të kreditorit Ilir Thana me vlerë detyrimi 145.867.920 lekë.
Ndërkohë në një reagim mbrëmjen e djeshme, avokatët e Arlind Gjokutajt, Genc Gjokutaj e Sokol Hazizaj e quajtën arrestimin e klientit të tyre në shkelje të Kushtetutës.
Ata deklaruan se Gjokutaj ishte arresstuar pa u pyetur dhe ballafaquar asnjëherë nga prokurori i çështjes me ato të cilat pretendohen si akuza nga organi i akuzës.
Avokatët gjithashtu i bënë thirrje medias që të investigojnë rastin e të mos bjerë pre e keqpërdorimit të Prokurorisë e njoftimeve të pavërteta të saj.