Gjykata e Apelit nëpërmjet një njoftimi, ka bërë me dije se ka rrëzuar kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeaj, për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja si relatore e çështjes gjyqësore për njohjen e statutit të PD-së.
“Mospranimin e kërkesës së ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja. – Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit. – Gjobitjen e kërkuesit Partia Demokratike e Shqipërisë në shumën 10,000 (dhjetëmijë) lekë. – Ky vendim është i formës së prerë. – Një kopje e vendimit t’u komunikohet gjyqtares Irida Kacerja dhe kërkuesit Partia Demokratike e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Kërkesa për përjashtim ndaj gjyqtares u bë me pretendimin se çështja mund të paragjykohet nga kjo e fundit.
Kërkesa për përjashtim ishte paraqitur nga përfaqësuesi i PD-së, avokati Rezart Thupi, ndërsa ishte nënshkruar nga Gazment Bardhi.