Britania do t’i sigurojë Ukrainës tanket kryesore të betejës, u tha gazetarëve të mërkurën një zëdhënës i kryeministrit Rishi Sunak. Deklarata erdhi pasi Polonia tha se do transferonte tanke të prodhimit gjerman te forcat e Kievit, me lejen e Berlinit.
Zëdhënësi tha se Sunak i kishte kërkuar Sekretarit të Mbrojtjes Ben Wallace të ‘punonte me partnerët’ për të ecur ‘më tej dhe më shpejt me mbështetjen tonë për Ukrainën, duke përfshirë sigurimin e tankeve’.
Një njoftim zyrtar ka të ngjarë të bëhet në lidhje me disa nga aleatët e NATO-s, siç ishte rasti javën e kaluar kur SHBA-ja, Franca dhe Gjermania njoftuan të gjitha së bashku se do të dërgonin automjete luftarake këmbësorie në Ukrainë.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë tashmë se ata nuk do dërgonin tanket M1 Abrams të prodhimit amerikan në Ukrainë, duke përmendur kërkesat e rënda të mirëmbajtjes së automjeteve. Megjithatë, Polonia njoftoi të mërkurën se do furnizonte Kievin me një numër tankesh Leopard të prodhimit gjerman, një vendim që kërkon një ‘dritë jeshile’ nga Berlini.
Ndërsa qeveria gjermane zyrtarisht nuk ka plane të dhurojë asnjë nga Leopardët e saj, ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha të hënën se ai nuk do ta përjashtonte një hap të tillë.
Vendimi i Britanisë u transmetua edhe në media ditët e fundit, me zyrtarët që i thanë Sky News të hënën se qeveria e Sunak kishte diskutuar mundësinë prej ‘disa javësh’ dhe se Mbretëria e Bashkuar ‘mund të ofrojë rreth dhjetë’ tanke.
Sipas Sky, një njoftim zyrtar mund të bëhet nga shumë vende më 20 janar, kur ‘Grupi i Kontaktit’ i udhëhequr nga SHBA-ja për armatimin e Ukrainës është planifikuar të takohet në vijim.