Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Asociacioni i Komunave serbe mund të adresohet në marrëveshjen finale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, raporton REL.

Këto komente të Kurtit, të bëra më 12 janar gjatë vizitës në Austri, vijnë një ditë pasi një zyrtar i lartë amerikan tha se Asociacioni është një çështje urgjente dhe kërkoi nga Kosova që të japë propozime sa i përket themelimit të Asociacionit.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha gjatë një vizite në Prishtinë, se Kosova “duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Kurti, megjithatë, tha se një asociacion njëetnik është kundër frymës së Kushtetutës të Kosovës.

“Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti [Marty] Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga nga Ahtisari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, tha Kurti, duke iu referuar të ashtuquajturit Plani i Ahtisaarit, që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.

“Do të thotë, asociacionet apo institucionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani apo Kushtetutës sonë. Megjithatë, ne ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat ose komunitetet joshumicë në Kosovë dhe jam shumë i angazhuar në këtë drejtim. Por, pa nënvlerësuar kushtetutshmërisë e vendit tonë”, shtoi Kurti.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje sa i përket Asociacionit, përkatësisht më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015, tha se marrëveshja e nënshkruar po atë vit për themelimin e Asociacionit, binte ndesh në disa pika të aktit më të lartë të shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të respektojë këtë marrëveshje dhe të themelojë Asociacionin. Madje, SHBA-ja ka paralajmëruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon, atëherë do të kërkohen “partnerë alternativë” për formimin e Asociacionit.