Zvicra po vë veton për dërgimin e disa materialeve luftarake të prodhimit zviceran nga Spanja në Ukrainë, tha ministrja spanjolle e Mbrojtjes Margarita Robles. Megjithatë, ajo nuk dha hollësi të mëtejshme se çfarë pajisjesh prekeshin nga vendimi, raportuan mediat spanjolle.
Duke folur në një takim të ambasadorëve spanjollë, Robles përsëriti se Madridi do vazhdojë të dërgojë pajisje ushtarake në Ukrainë për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Rusisë.
Megjithatë, duke iu përgjigjur një pyetjeje të bërë nga i dërguari i vendit në Bernë, ajo deklaroi se Zvicra ngurronte të jepte ‘dritën jeshile’ për dërgesat që kërkojnë miratimin e saj.
“Ne e kuptojmë, respektojmë dhe pranojmë asnjanësinë, por na duhet një autorizim për dërgimin e materialeve nga Zvicra, të cilin ajo nuk na e jep për momentin.” – tha ajo, cituar nga e përditshmja El Mundo.
Ministri shpjegoi gjithashtu shtytjen e Spanjës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, duke argumentuar se konflikti në Ukrainë kishte treguar se Spanja jeton në një gjendje ‘pasigurie absolute’.
“Sot, një raketë mund të fluturojë nga Moska në Madrid.” – pohoi ajo.
Parimi i asnjanësisë ka qenë themeli i politikës së jashtme të Zvicrës për shekuj me radhë. Kjo do të thotë se Berna nuk mund të përfshihet në një konflikt dhe nuk mund të mbështesë asnjë palë ushtarakisht.
Në përputhje me këto politika, në nëntor, kombi alpin hodhi poshtë kërkesën e Gjermanisë për të lejuar rieksportin e municioneve 35 mm të prodhimit zviceran për bateritë anti-ajrore Gepard në Ukrainë. Në qershor, Berna hodhi poshtë gjithashtu kërkesën e Danimarkës për t’i dhënë Ukrainës 22 automjete luftarake të këmbësorisë Piranha III të prodhimit zviceran.