Vendosni fjalën kyçe....

Eksportuesit e bimëve medicinale kërkojnë analiza të akredituara nga shteti; Kote: Do jenë gati në ISUV nga mesi i 2024-s


 

Nga mesi i vitit të ardhshëm edhe eksportuesit e bimëve medicinale do të mund të kryejnë analizat e akredituara për njohje në vendet e BE-së pranë laboratorëve shtetërore.

Mungesa e laboratorëve të akredituar shtetërorë për kryerjen e analizave në përputhje me kërkesat e shtuara të vendeve të BE-së, veçanërisht Gjermanisë ku eksportohen 32% e bimëve të mbledhura, krijoi që në 2022 të ktheheshin mbrapsht 45 kamionë me bimë medicinale.

Zv.ministri i Bujqësisë Dhimo Kote tha për Monitor se kjo problematikë, veçanërisht te bimët e kultivuara do të zgjidhet shumë shpejt nëpërmjet akreditimeve të reja pranë ISUV.

“Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) kryen rreth 1,368 analiza të akredituara sipas standardit ISO/IEC 17025:2017 për njohje ndërkombëtare. Nga këto janë kryer 450 analiza aktive për lëndën e mbetjes në produkte.

Është në qendër të vëmendjes që për këtë vit për bimët medicinale në bashkëpunim edhe me GIZ t’i kryejnë analizat pranë ISUV. Pra të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale do t’i çojnë mostrat pranë laboratorit shtetëror ISUV, kundrejt tarifave shtetërore për çdo shërbim që do të kërkohet.

Pra ne kryejmë analizat e akredituara për njohje ndërkombëtare, por që të marrësh analiza shtesë në përputhje me kërkesat e shtuara të BE-së, nevojitet akreditimi dhe trajnimi i trupës. Nga diskutimet që kemi pasur edhe me drejtues të ISUV pritet që fazat e nevojshme t’i kalojmë shumë shpejt. Mendoj se nga mesi i vitit që vjen kjo çështje do të zgjidhet”, pohoi ai.

Aktualisht në Shqipëri funksionon vetëm një laborator privat i akredituar për kryerjen e analizave specifike për bimët medicinale që eksportohen jashtë.

Kryetari i shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromantike Filip Gjoka kërkoi zgjidhjen e kësaj problematike me ngritjen e laboratorëve shtetërore për kryerjen e analizave për një gamë të gjerë të bimëve medicinale të prodhuara në vend me distancon eksporti, pasi janë shtuar vështirësitë për kompanitë shqiptare.

Në 2021 eksportet e bimëve medicinale sipas të dhënave të Doganave ishin në vlerën e 5,4 mld lekëve. Krahasuar me 2020 eksportet u rritën 6% më shumë. Totali i eksporteve për 2022 sipas Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike është rreth 6,2 mld lekë rreth 14% më shumë se 2021, por nëse do të kishte më tepër investime në kapacitet përpunuese vlera e tyre parashikohet të rritet 30 deri 40%.

Destinacioni kryesor i eksporteve është Gjermania. Për 2021 rreth 32% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në Gjermani, SHBA dhe rreth 10% e tyre në Turqi dhe Francë./D.Azo

VINI RE: Ky material wshtw pronwsi intelektuale e Monitor