Partia e Lirisë i ka kërkua SPAK-ut që të hetojë ekspertizat mbi të cilat është vendosur prishja e dhjetëra pallateve në Tiranë.
Kërkesa e PL-së vjen pas investigimit të Res Publica, i cili thekson se rrënimi i dhjetëra pallateve në Tiranë është bërë mbi bazën e ekspertizave të dyshimta dhe akteve të manipuluara.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi i bën thirrje SPAK-ut që të hetojë në mënyrë të menjëhershme dhe serioze Bashkinë Tiranë e kreun e saj, Erion Veliaj, lidhur me prishjen e pallateve.
“Rrënimi i dhjetëra pallateve nga Bashkia e Tiranës është mbështetur mbi ekspertiza të dyshimta dhe akte të manipuluara. Qindra familje janë nxjerrë në rrugë të madhe përmes vendimmarrjeve në kundërshtim me ligjin, kostove të fryra dhe abuzimeve me procedurat administrative.Skandali i përmasave të mëdha del në dritë falë një investigimi shumë serioz të “Respublica”, mbështetur nga “LevizAlbania” që ka zbuluar se akt-ekspertizat e thelluara, oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, rezultojnë të pasakta në fakte dhe në shifra.
Rasti më flagrant evidentohet për pallatin nr. 4 në Rrugën “Myslym Keta” që u rrënua nga fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, pa pritur zhvillimin e një procesi gjyqësor. Falsifikimi i ekspertizave dhe dramat e rënda familjare të shkaktuara nga Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës meritojnë një hetim të menjëhershëm dhe serioz nga SPAK!” – shkruan Blushi në Facebook.