Në fillim të muajit mars nisin aplikimit për përfitimin e fondeve në mbështetje të bujqësisë nga fondet e IPARD III.
Programi IPARD III planifikon të zbatojë 9 masa, nga të cilat 5 masa janë të reja. Në total fondet e IPARD III janë 146 mln euro. Për financimin e 5 masave të reja fondi i venë në dispozicion është 33,3 mln euro, sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë.
Gjithashtu nën këtë program sipas raportit të marrëveshjes së miratuar nga Kuvendi janë parashikuar edhe sektorë të rinj që marrin fokus kryesor, si sektori i ullirit dhe vajit të ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit. Për sektorin e vajit të ullirit aplikimet do të kryhen nga bashkitë dhe fermerët për ngritjen e pikave të grumbullimit dhe përpunimit të vajit të ullirit, duke zbatuar për herë të parë projektin pilot në 4 bashki për bashkimin e fermerëve.
Konkretisht masat e reja mbështetëse, sipas ministrisë të Bujqësisë do të jenë, si: Agro-mjedis-klimë dhe bujqësi organike” synon të promovojë praktikat e menaxhimit të bujqësisë dhe metodat e prodhimit, të cilat përmirësojnë gjendjen e mjedisit, burimet natyrore dhe zbutin dhe/ose adoptojnë ndryshimet klimatike me një buxhet grant rreth 2,5 mln euro (buxhet i ri i shtuar);
“Zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal – Qasja LEADER” mbështet grupet lokale të veprimit, që përfaqësojnë një gamë të gjerë partnerësh privatë dhe publikë multi-sektorialë, në zbatimin e strategjive të tyre të zhvillimit lokal nga poshtë lart, gjë që kontribuon në ekonominë, sociale, kulturore dhe përmirësimet mjedisore të zonave lokale me një buxhet grant rreth 4,8 milionë euro (buxhet i ri i shtuar);
“Investime në infrastrukturën publike rurale” synon zhvillimin ekonomik, social dhe territorial të zonave rurale nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës fizike e cila përmirëson standardet e jetesës së popullsisë rurale dhe atraktivitetin e përgjithshëm të zonave rurale me një buxhet grant prej 16 milion euro (buxhet i ri i shtuar);
“Shërbimet këshillimore” ka si objektiv forcimin e shërbimeve këshillimore, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e performancës ekonomike dhe mjedisore të fermave dhe mikrondërmarrjeve rurale me një buxhet grant prej 2,9 milion euro (buxhet i ri i shtuar);
“Ngritja dhe mbrojtja e pyjeve” promovon restaurimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve pyjore duke trajtuar sfidën e ndryshimeve klimatike me një buxhet grant prej 7,1 milion euro (buxhet i ri i shtuar).
Ndërsa masat ekzistuese që do të vijojnë të mbështeten me fondet e IPARD III janë investimet në asetet fizike në fermat bujqësore që synon mbështetjen e investimeve në fermat rentabël bujqësore, në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore të lëndës së parë të nevojshme për industrinë përpunuese si dhe për përafrimin e zinxhirit ushqimor me standardet e BE-së me një buxhet grant prej 41,86 milion euro (buxhet i shtuar prej rreth 106 mijë euro krahasuar me Programin IPARD II);
Investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit do të mbështesë investimet në sektorin e përpunimit të qumështit dhe nënproduketeve të tij, thertoret dhe përpunimin e mishit, fruta-perimeve, përpunimit të verës, përpunimi i produkteve të peshkimit; bimëve aromatike mjekësore etj., me një buxhet grant prej 40,48 milion euro (buxhet i shtuar prej rreth 5,1 mln Euro se 15% krahasuar me Programin IPARD II);
Diversifikimi i fermës dhe zhvillimi biznesit do të mbështesë nxitjen e punësimit përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbajtjes së atyre ekzistuese permes zhvillimit te veprimtarive te biznesit, duke rritur në këtë mënyrë nivelin e veprimtarive ekonomike të zonave rurale etj., me një buxhet grant prej 28,4 milion euro (buxhet i shtuar prej rreth 13,7 mln euro ose 94% krahasuar me Programin IPARD II);
Asistencë Teknike që garanton monitorimin dhe vlerësimin e rregullt dhe efektiv të Programit, si dhe përgatitjen ose konturimin e zbatimit të masave, duke kontribuar në zbatimin efektiv dhe të pandërprerë të Programit me një buxhet grant prej 2,3 milion euro.
Në total nga katër thirrjet e IPARD II janë disbursuar 54,3 mln euro fonde për 479 biznese. Fond i disbursuar në total në raport me fondin e angazhuar 64%. Në total për përfitim fondesh kanë aplikuar 1,189 subjekte. Investimet nga IPARD II llogariten në vlerën e 144,6 mln eurove./D.Azo
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor